Besar Likmeta, Balkaninsight


Dy projekte të financuara nga Banka Botërore synojnë ruajtjen e arkitekturës origjinale të fshatrave të Rivierës Shqiptare, megjithëse banorët mendojnë se është e vështirë që projekte të tilla ta ruajnë fshatin pasi çdo sens i jetës komunitare është humbur.


Fshati i Vunoit është ndërtuar në formën e një amfiteatri në shpatet e malit të Çikës, në rrugën që lidh Dhërmiun me qytetin e Himarës, si një panoramë që qëndron mbi kodra të mbushura me ullishte me pamje nga deti Jon. Rreth 176 metra mbi nivelin e detit, fshati është një koleksion shtëpish prej guri dhe rrugësh të ngushta prej kalldrëmi, të cilat ngjajnë me një labirint në shpatin e malit. Rrugët mbulohen me kalldrëme guri që lidhin shtëpitë dy apo trekatëshe, të cilat në shekullin IX u përshkruan nga poeti dhe udhëtari britanik, Edëard Lear, i cili e krahasoi ndjesinë që të japin ato me atë të ndërtesave veneciane. Shtëpitë e këtij fshati janë pothuajse 200-vjeçare, madje disa prej tyre datojnë që në vitin 1783. Arqile Varfi, postieri lokal deri përpara disa muajsh, para se të mbyllej zyra, tregon legjenda që thonë se fshati është ndërtuar pas vdekjes së Heroit Kombëtar shqiptar, Skënderbeu, i cili luftoi ndaj pushtuesve turq në shekullin XV, ndërsa ende sot mbetet shtylla e mitologjisë kombëtare të vendit.


Varfi, familja e të cilit u transferua në Vuno në vitet ‘60, gjatë eksodit të madh të detyruar të kuadrove nga fshati në qytet, krenohet me faktn se në fillim të shekullit  XX, fshati kishte një sistem të ndërlikuar kanalizimesh, i cili përdoret sot e kësaj dite.


“Fshati është ndërtuar me punën e të gjithë shoqërisë, shpesh e organizuar me ndihmën e familjeve të zgjeruara, ku vetëm mjeshtrit e gurit paguheshin”, thotë ai. Shtëpitë e Vunoit me mure guri të trasha dhe dritare të gjata janë disa nga shembujt më fin të stilit autokton të fshatrave të Rivierës Shqiptare.


Të djegura nga forcat pushtuese naziste gjatë Luftës së Dytë Botërore, pjesa më e madhe e shtëpive në fshat shtrihen të braktisura, pasi nuk janë përdorur prej një gjysmë shekulli. Për shkak se shumica e të rinjve të fshatit luftuan me partizanët, kur mbaroi lufta, u shkolluan në bllokun lindor, kështu fshati prodhoi një numër të madh shkrimtarësh, poetësh, gazetarësh dhe shumë burokratë komunistë të nivelit të lartë, të cilët nuk u kthyen më në shtëpitë e tyre. Varfi kujton se para luftës, fshati kishte më shumë se 2 mijë banorë, ndërsa tani kanë mbetur më pak se 200. Shumica e atyre që mbijetuan pas luftës ose u zhvendosën në qytet gjatë epokës komuniste ose emigruan në shtetin fqinj, Greqi, pas rënies së regjimit stalinist të Enver Hoxhës, në kërkim të një vendi pune. Ironikisht, për shkak të plagëve që lufta, emigrimi dhe politika lanë në Vuno, një pjesë e mirë e trashëgimisë së saj arkitektonike mbetet e paprekur. Shtëpi të tilla guri ka edhe në fshatrat Dhërmi, Qeparo, Piqeras, Ilias dhe në pjesën e vjetër të qytetit të Himarës. Dy projektet e Ministrisë së Punëve Publike të Shqipërisë, të financuara nga Banka Botërore, synojnë të investojnë në rindërtimin e këtyre shtëpive, në mënyrë që të ruajnë trashëgiminë e tyre arkitekturore dhe transformimin e një pjese të tyre në hostel, të cilat do të japin ndjesinë autentike të sektorit lokal të turizmit. Sipas projekteve do të financohet vetëm pjesa e jashtme e 75 shtëpive, çatitë dhe fasadat, ndërsa 25 të tjerat do të rinovohen brenda e jashtë nëpërmjet projektit për t’u transformuar në hostele. Firmat e specializuara arkitekturore të kontraktuara nga Ministria e Punëve Publike do të hartojnë projektet, në mënyrë që të ndihmojnë në riparimin e çative dhe në ruajtjen e fasadave.


“Të integruara organikisht në peizazh, fshatrat tradicionale të rajonit formojnë një shprehje unike të arkitekturës popullore, të veçantë për vendet e tyre dhe përdorimin e materialeve lokale të ndërtimit”, sqaron prezantuesi i projektit.


“Karakteristikat vizuale të këtyre fshatrave janë një pjesë thelbësore e peizazhit tërheqës të zonës, por ata janë në rrezik për t’u shkatërruar, nëse traditat lokale të ndërtimit dhe materialet do të braktisen në këmbim të stileve universale dhe moderne të materialeve të ndërtimit”, paralajmëron ai.


Fshatrat e Rivierës së Shqipërisë janë integruar organikisht në peizazh, me një stil të veçantë të arkitekturës popullore. Jo të gjitha shtëpitë në Vuno janë siç kanë qenë dikur. Disa shtëpi janë rindërtuar, duke përdorur materiale ndërtimi moderne, të cilat janë shumë më të lirë për t’u përdorur në krahasim me punimet tradicionale të gurit që përdoreshin për t’i ngritur ato.


Viro Andoni, familja e të cilit i ka pasur rrënjët në Vuno për qindra vjet, thotë se, në qoftë se do ta përballonte, do ta kishte rinovuar shtëpinë e tij sipas mënyrës së vjetër, por fatkeqësisht nuk mund ta zotërojë atë i vetëm. “Nëse do të kisha përfituar ndihmë nga shteti, do ta kisha rindërtuar duke përdorur punime guri”, thotë 63-vjeçari, i cili kaloi 15 vjet si i burgosur politik në burgun famëkeq të Spaçit në rajonin verior të Mirditës. I burgosur në vitin 1972 për tradhti, pasi u përpoq të arratisej në Greqi, ai u lirua në vitin 1987 dhe u rikthye në shtëpi për të ndërtuar një familje. Andoni, i cili humbi një këmbë për shkak të punës së rëndë në minierat e bakrit në Spaç, thotë se i dhimbset ta shohë fshatin e tij të shkatërruar.


“Ky fshat ka infrastrukturën më të mirë në bregdetin jugor, por gjendja e tij është përkeqësuar sepse askush nuk është kujdesur për ta ruajtur atë”, ankohet ai. Ai kujton se vite më parë, të ndërtoje një shtëpi nuk ishte një akt individual, por një përpjekje e komunës, që i përfshinte të gjithë në fshat, që do të ndihmonte me çdo kusht vendosjen  e tyre në punë për transportimin e materialeve të ndërtimit.


“Një ditë ti punoje në shtëpinë tënde, ndërsa ditën tjetër në atë të fqinjit”, tha Andoni, duke shtuar se ajo që i dhimbset më shumë është se kjo ndjenjë e komunitetit ka humbur njëherë e përgjithmonë.