Por tani, Shtëpia e Bardhë i trembet largimit të votuesve liberalë


Shtëpia e Bardhë deri më tani nuk ka dhënë asnjë përgjigje dhe nuk ka bërë asnjë reagim ndaj fjalimit të Assange. Por pas skenës, administrata amerikane punon “me kohë të plotë” për ekstradimin e Julian Assange. Informacionet e mbledhura nga diplomatë australianë dhe të botuara në një gazetë të përditshme australiane nxjerrin në pah faktin se që prej një viti e gjysmë, qeveria amerikane i ka kërkuar asaj australiane çdo lloj ndihme të mundshme për të inkriminuar liderin e “Wikileaks”. Në përfundim, ata duan që të arrijnë ta gjykojnë në SHBA në lidhje me krime të rënda si spiunazh, akses i paligjshëm në dokumentet e fshehta dhe mashtrim online. Në Virxhinia, “juria e madhe” është duke studiuar provat e mundshme që mund ta lidhin Assange me ushtarin Manning, i cili ndodhet në paraburgim për akuzën e nxjerrjes së informacioneve të klasifikuara dhe dhënien e tyre burimeve të paautorizuara. Por ndërkohë nuk është ndërmarrë asnjë hap ligjor për këtë çështje. Këto ditë, Shtëpia e Bardhë preferon që të mbajë një profil të ulët. Dy muaj e gjysmë nga zgjedhjet e përgjithshme në SHBA, Obama duhet që të ketë parasysh të gjitha ndikimet që mund të kenë në elektorat veprimet e tij të pamatura mirë, sepse ky është një moment delikat. Veçanërisht baza liberale e vendit mund të ndikohet shumë nga këto vendime dhe mes tyre, edhe të rinjtë, të cilët ishin votuesit në masë të Obamës në zgjedhjet e mëparshme të vitit 2008. Presidenti Obama do të përballet me ikjen e miliona votave, të cilat do ta dënojnë për premtimet e bëra dhe të pambajtura, një prej të cilave dhe mbyllja e Guantanamos, vendimi i parë që mori me të ardhur në Shtëpinë e Bardhë. Dhe stafi i Obamës është duke u përpjekur me të gjitha mundësitë që të mos e lejojë një rrjedhje tjetër votash, për shkak të ndonjë vendimi që nuk do të pëlqehet nga liberalët dhe të rinjtë. Gjatë ditëve të fundit, me afrimin e Konventës Demokrate të Sharlote, janë shtuar edhe apelet për lirimin e Bradley Manning, i cili është në burg ende i pagjykuar që nga maji i vitit 2010 dhe në një regjim burgimi shumë të rëndë në burgun e bazës Quantico në Virxhinia. Organizata “Lironi Brandley Manning” është duke u mobilizuar që përmes rrjeteve sociale të organizojë okupimin e zyrave të ndryshme elektorale të partisë së Obamës. Presidentit i kërkohet që të bëjë hapa pas në lidhje me deklaratat e bëra prillin e kaluar, sipas të cilave Manning ka shkelur ligjet dhe më 6 shtator, ditën kur Obama do të pranojë zyrtarisht kandidaturën për president, do të marshojnë në shenjë proteste. Michael Ratner, president i Qendrës për të Drejta Kushtetuese dhe avokati amerikan i Assange deklarohen në favor të së drejtës për strehim politik. SHBA kanë treguar gjithmonë se janë një port i sigurt për të gjithë ata që persekutohen në botë për idetë e tyre politike. Është e njëjta gjë si me gazetarët kinezë që persekutohen në Kinë, për idetë dhe kredot politike. Përse ata kanë të drejtë që të kërkojnë strehim politik dhe të tjerët jo? Përse atëherë duhet kritikuar strehimi që i është dhënë Assange?


Shtëpia e Bardhë nuk ka ndërmend që të lejojë ato që ajo i quan apele të papranueshme, qofshin ato që mund të vijnë nga Ekuadori, brenda vetë SHBA-së, ose edhe nga vetë Assange. Ndërsa marrëdhëniet tradicionalisht të mira me vendin amerikanojugor janë tensionuar javës së kaluar, pikërisht për ofrimin e strehimit politik Assange. Më parë, ato janë përkeqësuar kur Presidenti i vendit Correa, i cili ka jetuar dhe studiuar në SHBA vendosi që t’i japë përparësi marrëdhënieve me Kubën dhe Venezuelën. Me publikimin e materialeve në “Wikileaks” këto kohë, marrëdhëniet u tensionuan edhe më shumë. Correa që fillimisht nuk e kishte qejf Assange, përzuri ambasadorin amerikan në vendin e tij, kur në njërin nga kabllogramet e publikuara nga “Wikileaks” dilte që sipas burimeve të ambasadës, Correa abuzohej se kishte zgjedhur si shef policie një të korruptuar.