Botohet Kodi


Kuvendi pritet të shpallë këtë javë vakancën për postin e kryetarit të ri të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Kjo lind si detyrim nga ndryshimet e reja të bëra në Kodin Zgjedhor që u dekretua një javë më parë nga presidenti. Ligji i ri zgjedhor është botuar në Fletoren Zyrtare dhe kjo vetvetiu detyron Kuvendin të nisë procedurat për zgjedhjen e kreut të ri të KQZ-së. Në bazë të këtyre ndryshimeve, institucionit të Kuvendit i lind detyrimi të bëjë shpalljen e vendit vakant dhe të presë aplikimet e reja të shtetasve që plotësojnë kriteret formale të ligjit, që dëshirojnë të jenë anëtarë dhe njëkohësisht kryetar të KQZ-së. Kodi ne nenin 181 përcakton se Kuvendi duhet ta kryejë procedurën e shpalljes së vendit vakant menjëherë pasi bëhet dekretimi i ndryshimeve në ligj. Sipas ligjit, brenda 17 shtatorit duhet të nisë procedura për zgjedhjen e 7 anëtarëve të KQZ-së. Pas këtij hapi formal do të jetë Komisioni i Ligjeve ai që do të ketë detyrimin që do të administrojë konkurrentët që do të paraqiten dhe për të kryer më pas një proces dëgjimor me secilin prej tyre dhe përzgjedhjen në fund të dy kandidaturave alternative, që të kenë mbështetjen e 2/3 të anëtarëve të këtij komisioni. Nëse shumicën e cilësuar nuk e gëzojnë të paktën dy kandidatë, komisioni identifikon katër kandidatët që kanë marrë mbështetjen më të madhe midis anëtarëve të komisionit. Më pas, përfaqësuesit e opozitës në komision përjashtojnë dy nga këta kandidatë, ndërsa Kuvendi zgjedh kryetar të KQZ kandidatin që merr më shumë se gjysmën e votave mes dy kandidatëve të mbetur. E gjithë kjo procedurë duhet të përfundojë jo më vonë se data 25 shtator, pra 10 ditë pasi të jenë zgjedhur 6 anëtarët e tjerë të KQZ-së, për zgjedhjen e të cilëve do të ndiqen procedurat e mëparshme. Forcave politike që u lind e drejta të propozojnë kandidatë dhe të kenë anëtarë në KQZ duhet të paraqesin në Kuvend emrat përkatës, 2 PD, 2 PS, 1 LSI dhe 1 PBDNJ. Nuk dihet nëse ndonjëri prej kandidatëve aktualë të KQZ do të rikandidojë, megjithatë ekspertët e huaj kanë rekomanduar që KQZ të ketë vazhdueshmëri, pra rikompozimi i saj duhet të ruajë edhe eksperiencën e një numri të kufizuar anëtarësh. Neni 182 thekson se “1. Anëtarët e KQZ-së, të cilëve u ndërpritet mandati para kohe për shkak të ndryshimeve në këtë Kod, qëndrojnë në detyrë deri në zëvendësimin e tyre me anëtarët e rinj të zgjedhur sipas këtij Kodi. 2. Anëtarit të KQZ-së, të cilit i ndërpritet mandati për shkak të nenit 181, përfiton pagën e funksionit deri më 31 dhjetor 2012. 3. Anëtarit të KQZ-së, të cilit i ndërpritet mandati, kthehet në funksionin publik të mëparshëm, ose emërohet në një funksion ekuivalent me të”.