Gjenden dy vëllezërit 11 dhe 13 vjeç, nga fshati Lufaj i Mirditës, të cilët rezultonin të humbur prej ditës së djeshme. Mësohet se dy të miturit janë pikasur nga mësuesi i tyre në një lokal në Burrel, ku ishin duke pirë. Ky i fundit ka lajmëruar policinë, që ka marrë më pas dy të miturit, të cilët mësohet se janë në gjendje të mirë shëndetësore.


Ngjarja


Renato dhe Serxho Loci, 11 dhe 13 vjeç rezultonin të zhdukur për familjarët që prej ditës së djeshme, kur kanë qenë duke ruajtur bagëtitë në afërsi të fshatit të tyre, por nuk janë kthyer më në banesë. Prindërit, të shqetësuar për vonesën kanë njoftuar policinë ku dhe kanë denoncuar zhdukjen e dy fëmijëve të mitur. Të afërmit dyshonin se ndoshta dikush i kishte mashtruar për t’i trafikuar më pas në Kosovë, pasi ata kanë konstatuar se në banesën e tyre mungonin 100 mijë lekë të reja, të cilat i kishin fituar pak ditë më parë duke shitur disa krerë bagëti.


Ndërkohë, policia u vu menjëherë në lëvizje për gjetjen e 2 fëmijëve të mitur, duke kryer kontrolle dhe verifikime në pikën kufitare të Morinës që lidhet me Kosovën. Pas gjetjes së dy të miturve, ata i janë dorëzuar shëndoshë e mirë familjarëve.


21 gusht 2012 (gazeta-Shqip.com)