Administrata e presidentit amerikan, Barak Obamës akuzoi themeluesin e ‘Wikileaks’, Julian Asanzh se, po bën “pohime të egra” për gjykimin e tij eventual në Shtetet e Bashkuara me qëllim të shpërqendrojë vëmendjen nga akuzat për keqtrajtim seksual me të cilat do të përballej në Suedi.
Departamenti Amerikan i Shtetit tha se rasti për krime seksuale i Asanzhit nuk ka të bëjë fare me Shtetet e Bashkuara apo çështjen e publikimit të dokumenteve sekrete të Uashingtonit nga ana e ‘Wikileaks’. Zëdhënësja e Departamentit Amerikan të Shtetit, Viktoria Nuland, kritikoi Ekuadorin për faktin se i ofroi azil politik Asanzhit.
Gjatë një fjalimi që mbajti të dielën nga ballkoni i ambasadës së Ekuadorit në Londër, Asanzhi e quajti vetën viktimë të “gjuetisë së shtrigave” nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa i kërkoi presidentit, Barak Obama, të ndërpresë hetimet ndaj ‘Wikileaks’ dhe mbështetësve të tij.
21 gusht 2012 (gazeta-Shqip.com)