Kreu i AK-së flet për aleancat dhe ambiciet e partisë që drejton
Kreu i Aleancës Kuq e zi, Kreshnik Spahiu, deklaroi dje se partia politike që ai drejton do të përdorë të gjitha mënyrat për të bërë të mundur largimin e Partisë Demokratike nga pushteti në vitin 2013. Spahiu theksoi se, edhe pse AK ende nuk ka marrë vendime përfundimtare për sa i përket aleancave që do të krijojë, në thelb të tyre do të ekzistojnë llogaritjet për rrëzimin e mazhorancës aktuale. Por, pavarësisht se e konsideron çështjen e aleancave të hapur, ai shprehet i bindur për mbështetjen e madhe që AK do të marrë në zgjedhjet e qershorit të vitit 2013. “Elektorati që synohet nga ne është pjesa e pakënaqur e dy partive të mëdha në vend, të cilave u ka mbetur vetëm një e treta e votuesve, për shkak të mosbesimit që ngjallin te shqiptarët”, thekson Spahiu. Por burimet bëjnë të ditur se AK e drejtuar nga ai ka në plan të bëhet pjesë e një poli të qendrës së djathtë, që pritet të krijohet përpara zgjedhjeve të ardhshme. Ky pol pritet të mbledhë në një koalicion të përbashkët parti të reja, apo nacionaliste, të cilat nuk mbështesin lidershipin e PD-së apo të PS-së. Aktualisht FRD-ja që pritet të drejtohet nga Bamir Topi ka nisur negociatat me parti të qendrës së djathtë, me synim krijimin e këtij poli apo koalicioni parazgjedhor, i cili do t’i bashkojë këto parti në një ombrellë të përbashkët gjatë procesit zgjedhor.
Bashkëpunimi
Kreu i AK-së nuk e përjashtoi bashkëpunimin me FRD-në e Bamir Topit, por u shpreh se kjo forcë politike e re ka nevojë të konsolidohet