Partia Socialiste përmes deputetit Taulant Balla ka akuzuar kryeministrin Berisha se po uzurpon të gjitha institucionet e shtetit për interesat e tij personale, duke iu referuar në veçanti emërimit të ish-shefit të Shërbimit Informativ Ushtarak, Ylli Zyla në krye të Policisë Ushtarake të vendit
“Ylli Zyla, edhe pse i akuzuar për trafik armësh, u emërua në një post të rëndësishëm. Berisha duhet të përgjigjet për lidhjet e Ylli Zylës me trafikun e armëve”, – ka nënvizuar Balla.
Partia Socialiste ka sulmuar gjithashtu edhe Presidencën, duke e akuzuar se me emërimet e fundit është kthyer në një ministri në varësi të kryeministrit.
“Çdo ditë e shumë shqiptarët po shohin sesi Berisha po vendos në komandën e tij institucione të rëndësishme të drejtësisë, sigurisë dhe inteligjencës. Me emërimet e fundit Nishani po tregon se nuk mund të jetë tjetër veçse një kukull nën komandën e Berishës”, – tha Balla duke iu referuar ndryshimeve të fundit në institucioneve shtetërore të dekretuara nga presidenti Nishani.
21 gusht 2012 (gazeta-Shqip.com)