Diplomatja gjermane vizitë në Gjirokastër. “Shqiptarët mendojnë shumë rreth të huajve. Bëni reformat për veten tuaj”
Ambasadorja gjermane në Shqipëri, Carola Muller Holtkemper ka kritikuar nga Gjirokastra klasën politike shqiptare se ka bërë pak progres, megjithë miratimin nga Parlamenti të kodit të ri elektoral. Sipas diplomates gjermane duhet të punohet më shumë për heqjen e imunitetit dhe reformimin e institucioneve. Ndërkohë që ka shtuar se duhet të përmirësohet sistemi i drejtësisë dhe të bëhet i mundur zbatimi i ligjit.
“Qeveria dhe opozita po diskutojnë për të reduktuar apo për të hequr imunitetin, reformuar institucionet legale dhe sistemin e drejtësisë, kështu që po flitet për shumë reforma dhe ne shpresojmë që kjo do të materializohet. Ne mendojmë që për ne, por më shumë për shqiptarët, është e rëndësishme të përsosin sistemin e drejtësisë. Kjo do të përmirësonte situatën dhe relatat mes vetë shqiptarëve, mes institucioneve dhe biznesit, mes institucionit dhe biznesit të huaj, por përshtypja ime është se shqiptarët mendojnë shumë rreth të huajve. Kështu që na harroni ne dhe bëni reformat për veten tuaj. Krijoni një shoqëri më përfshirëse, një mjedis më komod për institucionet shqiptare dhe biznesin dhe ju do ta merrni statusin e vendit kandidat automatikisht”,- deklaroi Holtkemper, e cila ka zhvilluar një vizitë në qytetin e Gjirokastrës, ku monitoroi disa prej investimeve gjermane, duke bërë të ditur se interesi i kompanive është për investime në të gjithë Shqipërinë.
22 gusht 2012 (gazeta-Shqip.com)