Gjatë mbledhjes së sotme të qeverisë, kryeministri i vendit, Sali Berisha është përqendruar tek investimet në fushën e energjisë përmes koncesioneve të hidrocentraleve në vendin tonë si dhe tek rëndësia e energjisë së rinovueshme, e cila sipas kryeministrit, është prioritet për ekonominë e vendit.
“Janë firmosur mbi 115 kontrata, kanë përfunduar ndërtimin 71 prej tyre. Këto hidrocentrale kanë kapacitet 125 megavat, dhe pritet në shtator t’u bashkëngjitet edhe projekti më i madh që ndërtohet tani, ai i Ashtës, i cili në llojin e tij përbën një risi botërore, ka numrin më të madh të turbinave turbulare të përdorura ndonjëherë”, – tha kryeministri i vendit.
Berisha theksoi edhe rëndësinë që ka investimi në fushën e hidrocentraleve për hapjen e vendeve të reja të punës, çka përbën një prioritet të rëndësishëm për qeverinë, pasi në to, sipas Berishës janë punësuar me mijëra njerëz.
Kryeministri i ka cilësuar si trillime dhe ziliqare deklaratat e opozitës se, kur të vijë në pushtet nuk do të njohë asnjë koncesion të dhënë nga qeveria, deklarata të cilat sipas tij shërbejnë vetëm për të trembur dhe dekurajuar investitorët e huaj.
“Deklaratat ziliqare dhe keqdashëse që kërcënojnë investitorët se ‘nuk do i njohim këto marrëveshje, se po jepen ujërat me koncesione etj’, janë shpifje dhe trillime të pandershme. E vërteta është se absurditeti i tyre, fatmirësisht, nuk është përfillur aspak nga investitorët vendas dhe të huaj”, – u shpreh Berisha.
22 gusht 2012 (gazeta-Shqip.com)