Vrasjet


Autori i vrasjes së Lulëzim Heqimit dyshohet vrasës me pagesë. Historia e hakmarrjeve


Vrasja – Autori, pasi ka shtënë një herë me pistoletë pas kokës së 44-vjeçarit Lulëzim Heqimi, ka qëlluar edhe katër herë të tjera në trup


Hakmarrja – Mësohet se gjatë viteve të shkuara janë ekzekutuar edhe dy vëllezër të tjerë të Lulëzimit


Dënimi – Viktima kishte rreth gjashtë muaj që kishte përfunduar dënimin me dy vite burg për veprën penale të armëmbajtjes pa leje


Morti – Gjatë këtyre viteve, familja Heqimi ka humbur katër djem, pasi një tjetër ka ndërruar jetë për shkak të një sëmundjeje të keqe


Një vrasje mafioze ka tronditur mbrëmjen e djeshme gjithë opinionin publik të qytetit të Fierit. Lulëzim Heqimi, 44 vjeç, babai i tre fëmijëve, është ekzekutuar me plumb pas koke, teksa ishte duke pirë kafe në një bar në lagjen “Liri Gero”, pranë unazës së re të qytetit. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 19:00, kur trotuari që shtrihet përgjatë unazës së re është tejmbushur me qytetarë që kalonin aty për shëtitjen e mbrëmjes.


 


Ngjarja


Prej burimeve nga vendngjarja mësohet se viktima ka qenë i vetëm kur po konsumonte një pije në një bar në lagjen “Liri Gero” mbrëmjen e djeshme. Ndërkaq, një person ende i paidentifikuar, i cili ka qenë edhe ai duke frekuentuar të njëjtin lokal, është ngritur duke i shkuar nga pas dhe e ka qëlluar me një plumb në kokë. Sipas dëshmitarëve në vendngjarje, autori pasi ka shtënë një herë me pistoletë pas kokës së 44-vjeçarit Lulëzim Heqimi, ka qëlluar edhe katër herë të tjera në trup, për t’u siguruar për vrasjen e objektivit të tij. Më pas, autori është larguar me vrap nga lokali, duke e lënë të vdekur në vend viktimën e tij që njihej në qytetin e Fierit me emrin Lul Heqimi. Edhe në momentin kur aty ka mbërritur policia, viktima ka qenë i ulur në karrige në pozicionin që ishte kur u ekzekutua me plumb pas koke, teksa pinte kafe. Sipas dëshmitarëve në vendngjarje, autori ka qenë i ri nga mosha, por askush nuk ka arritur ta identifikojë atë.


 


Motivi


Nga burime të policisë, mësohet se nga hetimet paraprake dyshohet se vrasja mund të ketë ardhur për motivin e hakmarrjes. Kjo, sipas policisë, për shkak të verifikimit paraprak të së kaluarës së viktimës. Mësohet se gjatë viteve të shkuara janë ekzekutuar edhe dy vëllezër të tjerë të Lulëzimit. Ndërkaq, nuk bëhen të ditur identitetet e personave me të cilët mund të ketë pasur konflikt viktima dhe vëllezërit e tij.


 


Vëllezërit


Sipas burimeve të bluve vite më parë, është ekzekutuar me armë zjarri pranë bar “Rinisë”, në qendër të qytetit të Fierit, vëllai i Lulëzimit, Arben Heqimi. Ndërsa në vitin 2005, në lagjen ku ata banonin, është vrarë po me armë zjarri edhe një tjetër vëlla i tyre. Por, gjatë këtyre viteve familja Heqimi ka humbur katër djem, pasi një tjetër ka ndërruar jetë, për shkak të një sëmundjeje të keqe.


 


Precedenti


Lulëzim Heqimi rezulton të ketë pasur probleme me drejtësinë para se të ekzekutohej mbrëmjen e djeshme. Sipas policisë, ai kishte rreth gjashtë muaj që kishte përfunduar dënimin me dy vite burg për veprën penale të armëmbajtjes pa leje. Kjo, pasi rreth tre vite më parë ishte kapur me armë tip pistoletë në brez. Nga burimet e bluve mësohet se ka qenë një informacion i dhënë atëherë nga një person anonim që ka njoftuar se 44-vjeçari Heqimi qarkullonte i armatosur.


 


Hetimi


Policia ka nisur hetimin për identifikimin e autorit të ngjarjes dhe kapjen e tij. Nga hetimet paraprake dyshohet se autori ka qenë vrasës me pagesë, për shkak se nuk është njohur nga viktima që mendohet se i ruhej një atentati të mundshëm. Ndërkohë, hetuesit po verifikojnë të gjitha konfliktet e mundshme që dyshohet të ketë pasur viktima Lulëzim Heqimi, përfundojnë burimet.