Pakti detar
Turdiu kundër ministrit të Jashtëm, Panariti: Nuk ka negociata
Turdiu – Nuk ka negociata me palën greke. Kjo është e padiskutueshme. Është një grup pune i ngritur mbi bazën e urdhrit të Kryeministrit që ka detyrë të shqyrtojë situatën dhe të paraqesë propozime në aspektin teknik
Panariti – Më datën 14 gusht, kryediplomati bëri të ditur se ka negociata me Greqinë dhe së shpejti do të ketë rezultate konkrete
1 vit – Kryeministri ka mbi një vit që ka nxjerrë urdhrin për ngritjen e grupit të punës për çështjet teknike për paktin detar
BLEDAR HOTI
Ministria e Punëve të Jashtme deklaron se nuk kanë nisur ende negociatat zyrtare me Greqinë për marrëveshjen kufitare detare. Qëndrimi zyrtar më i fundit u bë publik nga sekretari i përgjithshëm i MPJ-së, Gazmend Turdiu. Gjatë prononcimit për mediat, Turdiu bëri të ditur se mes Shqipërisë dhe Greqisë nuk janë zhvilluar negociata të reja për riformulimin e marrëveshjes për delimitilimin e ujërave, duke u “përplasur” kështu me qëndrimin e mbajtur më 14 gusht nga kryediplomati Edmond Panariti. Ai bëri publik faktin se grupi i punës po negocion me palën greke për çështjen e kufirit me Greqinë.
Qëndrimi i sekretarit
Turdiu, i cili kryeson grupin e punës për këtë çështje, deklaroi se grupi i punës është i një natyre tjetër në krahasim me grupin negociator, i cili përpara se të ulet në tryezë me palën greke duhet të marrë plotfuqishmërinë nga presidenti. Sipas tij, “ky grup pune nuk është absolutisht grup negociator. Ky grup pune ka detyrë të orientojë qeverinë drejt zgjidhjeve të mundshme të këtij problemi. Ky grup pune i paraqet qeverisë se cilat janë pozicionet dhe interesat e Shqipërisë parë nga pikëvështrimet e këtyre institucioneve që marrin pjesë në grup pune”. “Nuk ka negociata me palën greke. Kjo është e padiskutueshme. Ka një grup pune i ngritur mbi bazën e urdhrit të Kryeministrit që ka detyrë të shqyrtojë situatën dhe të paraqesë propozime në aspektin teknik, për t’i paraqitur këto propozime më pas në institucionet vendimmarrëse për shqyrtim dhe për vendimmarrje”, deklaroi Turdiu. Sekretari i përgjithshëm i MPJ-së, ndërkohë, ka pranuar shqetësimet që ka pala greke në lidhje me vendimin e marrë nga ana e Gjykatës Kushtetuese, e cila rrëzoi marrëveshjen e qeverisë shqiptare dhe asaj greke, e ratifikuar më pas nga Kuvendi i Shqipërisë. Për Turdiun, baza e diskutimit me palën greke do të jetë pikërisht vendimi i Gjykatës Kushtetuese, porse atë nuk e njeh qeveria e shtetit fqinj. “Ka pasur një shqetësim nga pala greke për rrëzimin e marrëveshjes së firmosur mes ministrave të Jashtëm nga Gjykata Kushtetuese dhe ata kërkojnë që Shqipëria të propozojë një rrugëzgjidhje. Në asnjë rast nuk na është vendosur ndonjë kusht”, tha Turdiu. Kreu i grupit të punës dhe pse shprehet se nuk ka negociata, pranon në mënyrë direkte se ka pasur kontakte me palën greke. “Ajo që unë mund të them është se unë nuk kam marrë kurrë një mesazh të tillë. Gjithashtu do të shtoja se duhet të vini re se edhe pala greke nuk e ka ratifikuar marrëveshjen. Kjo do të thotë se ne i kemi bërë të qartë palës greke se vendimi i Gjykatës Kushtetuese e ka bërë atë marrëveshje nul dhe të paqenë”, tha Turdiu në lidhje me mundësinë e kushtëzimit.
Qëndrimi i kryediplomatit
Ministri i Jashtëm, Edmond Panariti, më 14 gusht deklaroi se shteti shqiptar po negocion me palën greke për çështjen e paktit detar me fqinjin jugor. Duke konfirmuar për ngritjen e grupeve të punës, Panariti theksoi se së shpejti do të ketë rezultate konkrete. Kryediplomati shqiptar, në fillim të shtatorit, do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Athinë, ku objekt i diskutimit do të jetë edhe pakti detar. Takimi me median i një jave më parë i shërbeu ministrit të Jashtëm për të sqaruar edhe disa zëra mediatike greke se Greqia do ta kushtëzojë të ardhmen e marrëveshjes politike mes Shqipërisë, Greqisë dhe Italisë për projektin e gazsjellësit Transadriatik me marrëveshjen e ujërave me Shqipërinë. “Ky nuk është qëndrimi zyrtar as i qeverisë greke, as i qeverisë shqiptare. Nuk ekziston asnjë varësi, asnjë lidhje funksionale midis këtyre dy problemeve. Këto probleme do të trajtohen individualisht, në mënyrë të veçantë, të pavarura nga njëra-tjetra. Pra, progresi për njërën nuk do të kushtëzohet nga progresi apo regresi në çështjen tjetër”, u shpreh Panariti. Më poshtë japim përgjigjet e pyetjeve që Panariti iu përgjigj gazetarëve më 14 gusht për paktin detar.
Mbi ç’baza po punohet për paktin detar?
Mbi bazën e legjislacionit të vendit dhe të legjislacionit ndërkombëtar.
Kjo ndryshon nga negocimi që është bërë më herët?
Ju e dini që ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese, e cila anulon praktikën e mëparshme dhe mbi këtë bazë po punohet për ta riparë gjithë procesin.
Mund të na thoni ndonjë detaj më shumë?
Nuk mundem, sepse do të ishte e parakohshme dhe spekulative që unë të bëja publike rezultate që janë ende në përpunim.
Kur mund të përfundojnë negociatat?
Së shpejti, së shpejti.
A ka presion nga pala greke që pala shqiptare të pranojë kërkesat e saj për çështjet e marrëveshjes së ujërave?
Nuk ka asnjë lloj presioni.