Situata


Kryeministri pranon rezultatin. Po a kanë marrë fund mosmarrëveshjet?


Gjykata e Lartë rumune dje ka vendosur që referendumi i organizuar në lidhje me çeljen e hetimeve ndaj Presidentit të vendit, Basesku, nuk ka qenë i vlefshëm, sepse nuk u arrit pjesëmarrja prej 50% që kërkohet për të bërë të vlefshëm këtë votim.


Vendimi minon përpjekjet e Kryeministrit të vendit, Viktor Poda, për të hetuar Presidentin e vendit, i cili është një rival i ashpër i tij. Kjo do të thotë që Basesku, i cili u pezullua nga detyra e Presidenti për akuzat që iu bënë, mund të rikthehet tani në detyrë dhe të vazhdojë kryerjen e funksionit të Presidentit të vendit deri në fund të mandatit. Referendumi i 29 korrikut ishte një referendum në të cilin mbi 87% e njerëzve votuan për nisjen e hetimeve kundër Baseskut, por pjesëmarrja ishte vetëm 46%, çka e bën referendumin të pavlefshëm. Kjo, sepse ligji për referendumet në Rumani parashikon vlefshmërinë e votës vetëm në rast se marrin pjesë të paktën 50% e votuesve. Në rast të kundërt, çdo rezultat i një referendumi që nuk arrin numrin e duhur do të quhej i pavlefshëm. I tillë është edhe rasti konkret. Ndërkohë dje, para shpalljes së vendimit të Gjykatës Kushtetuese në favor të Baseskut, Kryeministri i Rumanisë deklaroi se nëse gjykatësit do të vendosnin se referendumi nuk ishte i vlefshëm, atëherë Presidenti i vendit mund të kthehej në detyrë dhe të vazhdonte ushtrimin e funksionit të tij kushtetues.


Vendimi që u mor ishte 6 me 3 në favor të hedhjes poshtë të përfundimit të referendumit. Dhe menjëherë pas vendimit të gjykatës, Kryeministri, që është shumë armiqësor me Presidentin, e ka pranuar rezultatin dhe duket se pas kësaj gjërat do të kthehen në normalitet.


Poa do të thotë kjo se është qetësuar paksa lufta politike mes dy kampeve në Rumani. Ky vendim mund të shënojë një qetësim të përkohshëm, por a do të jetë afatgjatë? Kjo nuk dihet dhe nuk mund të thuhet, por deri më tani Kryeministri i vendit e ka treguar se ka marrë vendime të papritura dhe të ashpra ndaj kundërshtarëve të tij politikë. Këto vendime dhe një sërë ndryshimesh që ai kërkon të bëjë në Kushtetutë dhe në reformat e tjera, kanë shqetësuar edhe Brukselin, që disa herë i ka bërë vërejtje Kryeministrit për vendimet dhe veprimet e tij. Në fund të vitit, Brukseli do të nxjerrë një raport të posaçëm për Rumaninë, në të cilin do të jepet edhe analiza për çështje të ndryshme dhe do të shihet edhe reflektimi që Kryeministri i vendit u ka bërë në mënyrë konkrete të gjitha vërejtjeve të fundit që i ka bërë Brukseli.