Urdhri i MASH
Kusht, testimi në shtator, ndryshe do të humbasin të drejtën e studimeve
Shpresa Mezini
Nxënësit që e kanë përfunduar arsimin e mesëm në vitet 2004-2005 do të duhet të zhvillojnë një nga provimet me zgjedhje nëse vendosin të ndjekin arsimin e lartë. Ky është vendimi më i fundit i Ministrisë së Arsimit, i cili është afishuar krejt papritur në dyert e sekretarive të universiteteve publike dhe private. Kështu, kushti për t’u regjistruar në një prej fakulteteve private për ish-maturantët e viteve 2004-2005, që nuk e kanë ndjekur arsimin e lartë për arsye të ndryshme, është zhvillimi i një prej testeve me zgjedhje. Në të kundërt, duke iu referuar urdhrit të Ministrisë së Arsimit, asnjë nxënës nuk do të ketë të drejtën për t’u regjistruar në universitet. Dy të rinj kanë mbetur të shtangur kur kanë trokitur në dyert e një prej universiteteve private në vend dhe kanë mësuar për këtë vendim.
“Nuk ishim në dijeni të këtij urdhri. Nuk është e drejtë që të mos njoftohemi për informacione që kanë të bëjnë me të ardhmen tonë. Unë nuk arrita të ndjek arsimin e lartë në vitin 2005, sepse gjatë gjithë këtyre viteve më është dashur të punoj për të ndihmuar familjen, për shkak të kushteve të vështira ekonomike. Sot e kam mundësinë. Dua të ndjek arsimin e lartë, por ma mohojnë”, thotë Arditi, 25 vjeç.
Ai pranon se ndihet i fyer që vendime të këtij lloji afishohen rëndom në korridore, ndërsa nuk lexohen kurrkund tjetër.
“Pasi kam përfituar bursë apo ofertë për të ndjekur studimet e larta, bëra atë pak pagesë të detyruar në sekretari, ku më thanë se do të më njoftonin në telefon për të më bërë me dije se kur do të merrja kartën e studentit dhe do të bëja regjistrimin, ndërkohë që duhet të paguaja për secilën prej tyre. Dy javë më parë më telefonoi sekretaria e fakultetit, e cila më kërkoi të paraqitem në universitet. Kur shkova më tha që nuk mund ta bëj regjistrimin pa zhvilluar testin me zgjedhje në shtator, muaj kur maturantët i nënshtrohen sezonit të vjeshtës”, tregon 25-vjeçari. Sipas tij, kjo është e padrejtë, për shkak se ai nuk i përket brezit që i është nënshtruar Maturës Shtetërore dhe se nuk ka asnjë informacion për këtë pjesë.
“Nuk lodhem të lexoj, por koha që kam në dispozicion është shumë e shkurtër. Për më tepër që shumë prej teksteve të klasave të sotme kanë ndryshuar. Unë pagesën e kam kryer tashmë, por nuk mund ta bëj regjistrimin, sepse fare papritur ministria ka nxjerrë një vendim të ri. I kërkova sekretares të më kthejë mbrapsht paratë, por nuk më dëgjoi. Më tha që në një nga pikat e kontratës shkruhet se paratë nuk kthehen mbrapsht. Lekët nuk u kthyekan, po mua kush më jep përgjigje për këtë pyetje. Po unë, kujt duhet t’i drejtohem”, shprehet i inatosur i riu.
Urdhri
Duke iu referuar udhëzimit të Ministrisë së Arsimit, asnjë nxënës që e ka përfunduar arsimin e mesëm në vitet 2004-2005 nuk do të regjistrohet në fakultet pa zhvilluar një nga dy testet me zgjedhje. Sipas tij, data kur do të zhvillohet provimi është 14 shtatori, ndërsa përpara se t’i nënshtrohet atij, të rinjtë duhet të plotësojnë formularin A1Z. Në këtë dokument ata do të përcaktojnë një nga lëndët me zgjedhje, atë për të cilin do të testohen. Sipas specialistëve të Ministrisë së Arsimit, tërheqja e formularit bëhet në drejtoritë e shkollave përkatëse, ku do të bëhet edhe plotësimi i tij manual, ndërsa nuk argumentojnë arsyet e marrjes së këtij vendimi që prek vetëm nxënësit e diplomuar në vitet 2004-2005, asnjë vit tjetër para apo pas tyre.