Prokuroria
Prokuroria e Tiranës ka marrë një shkresë nga policia shkencore në lidhje me kryerjen e ekspertimit të thikës së gjetur në shtëpinë e Aldo Hoxhës, i dyshuari për vrasjen e Fatbardha Tafës, pasditen e 7 gushtit në Tiranë. Mësohet se ekspertiza shkencore e policisë kriminale nuk ka gjetur asnjë gjurmë në thikën e sekuestruar. Burime konfidenciale pranë grupit hetimor bëjnë të ditur së në thikën e sekuestruar nuk janë gjetur gjurmë që të provojnë pretendimet e prokurorisë, sipas së cilës, kjo është thika me të cilën Aldo Hoxha ka vrarë 38-vjeçaren. Ekspertiza ka nxjerrë konkluzionin se në momentin e sekuestrimit, thika ishte larë dhe pastruar, por mbetet të bëhet krahasimi i thikës me plagën në trupin e viktimës. Policia shkencore ka nxjerrë përfundimin se edhe në doreza nuk është gjetur asnjë gjurmë. Deri tani, sipas ekspertëve të laboratorit të kriminalistikës, provë e pakontestueshme është kapelja ku janë gjetur fije floku dhe djersa e Aldo Hoxhës, si dhe njolla gjaku të viktimës dhe motrës së saj Lumturie Gjanës. Grupi hetimor, i kryesuar nga Blerim Tominaj, pohon se mbrëmjen e 7 gushtit, kur ndodhi krimi i rëndë në zonën e ish-Fushës së Aviacionit, dy motrat Lumturie Gjana dhe Fatbardha Tafa, gjatë përplasjes me autorët kanë arritur ta kapin Aldo Hoxhën dhe ta mbështesin në murin e një banese private. 21-vjeçari ka tentuar t’i marrë nga qafa varësen e floririt viktimës Fatbardha Tafa, por ai është arritur të neutralizohet nga dy motrat dhe të mbështetet me forcë në mur, ku dhe është konstatuar pjesa e gjakut. Aty pretendohet se atij i ka rënë një kapele, ngjyrë jeshile. Por, pas krimit, dëshmitarët kanë marrë kapelen, të cilën ia kanë lënë në dorë djalit të mitur të Fatbardhës. Më pas, djali e ka marrë kapelen me vete në makinën e burrit të Lumturie Gjanës, ku është lënë për dy ditë. Burri i Lumturie Gjanës është habitur nga kapelja, kështu që dy ditë pas krimit, ka njoftuar policinë, duke e dorëzuar atë pranë grupit hetimor. Djali i mitur ka treguar për policinë se kapelen e mbante në kokë njëri nga grabitësit, kështu që ajo është dërguar menjëherë për analizat e ADN-së, ndërkohë që i dyshuari Aldo Hoxha ishte shoqëruar dhe lënë i lirë. Në kapele, policia shkencore ka gjetur gjurmë gjaku, që pretendohet se janë të viktimës, një qime floku, e cila i përket Aldo Hoxhës dhe djersë. s.ç
Krahasimi
Në momentin që u sekuestrua, thika ishte larë dhe pastruar, por mbetet të bëhet krahasimi i thikës me plagën në trupin e viktimës
