Qeveria


Berisha: Tokë falas për universitetet dhe spitalet private


Kili – Qeveria shqiptare u mburr se për ligjin e arsimit të lartë do të aplikohej ai i shtetit kilian


Toka – Berisha paralajmëroi aplikimin e sistemit amerikan arsimor, ku universitete jo përfituese marrin tokë falas


35 milionë USD – Në spitalet e Turqisë dikur shqiptarët shpenzonin 35 milionë USD për analiza, tani të gjitha ato bëhen në vend


BLEDAR HOTI


Kur Shqipëria është pushtuar nga kaosi urban dhe është e vështirë të gjesh prona të lira, Kryeministri Sali Berisha hedh idenë e aplikimit të modelit amerikan për ligjin e arsimit, të faljes së tokave për universitetet private. Pasi provoi aplikimin e ligjit të arsimit, varianti i “Kilit”, Kryeministri po tenton sërish të aplikojë një sistem të ri, duke i dhënë përparësi arsimit privat dhe jo atij publik. Në mbledhjen e djeshme të qeverisë, Kryeministri tha se “do të vazhdojë të nxisë zhvillimin dhe konsolidimin e iniciativës private në fushën e arsimit, duke forcuar njëherësh mekanizmat e kontrollit rigoroz”. “Është e domosdoshme të aplikojmë ligjin ‘tokë për shkollën’. Ky ligj ekziston në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në vende të tjera. Ndaj zoti ministër i Arsimit, në bashkëpunim me ministritë respektive, ky ligj do të vendoset edhe në Shqipëri. Ne do t’u japim troje, atyre që duan të ndërtojnë shkolla, por dhe spitale.


Ne jemi sot, gjithnjë në dinamikë, por nesër do të instalojmë mekanizmin e përshtatshëm që financimet tona të ndjekin cilësinë. Ndonëse dua t’u bëj thirrje këtyre institucioneve të konsiderojnë në mënyrën më serioze, shndërrimin e tyre në institucione arsimore non profit. Jam i bindur se si institucione non profit, ato do të mund të ecnin më të sigurt drejt cilësisë dhe konsolidimit të tyre. Nuk kam asnjë lloj problematike me statusin e tyre aktual, por më duhet të rikujtoj se në vendin model të arsimit privat, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shumica dërrmuese e këtyre institucioneve janë non profit”, deklaroi Berisha. Sipas tij, “ata zgjidhin në mënyrë të përjetshme kundërshtinë me Ministrinë e Financave dhe institucionet e tjera, të cilat me të drejtë kërkojnë zbatimin e rregullave nga të gjitha bizneset. Gjithsesi, kjo është në vullnetin e tyre, ndërsa thirrja ime mendoj se është në interesin e tyre. Por kjo nuk e pengon qeverinë që të marrë masa për ta stimuluar, nxitur e mbështetur iniciativën e lirë në këta dy sektorë të rëndësishëm, në arsim dhe shëndetësi”. Modeli kilian u trumbetua me forcë nga ana e qeverisë, edhe pse në fakt ai jepej për universitetet private jo fitimprurëse, pra e kundërta nga ajo çfarë aplikohet në Shqipëri. Pas këtij dështimi, Berisha u bën thirrje universiteteve private të shndërrohen në institucione arsimore “non profit”, jo përfituese.