Reklama


Në një reklamë të Postës Shqiptare, përmes së cilës qytetarët nxiten të blejnë bono thesari të emetuara nga Shqipëria, një bono privatizimi e emetuar në vitin 1996 dhe që sot nuk vlen asnjë grosh, u paraqit gabimisht si ilustrim për bonot e thesarit. Reklama që u transmetua me bollëk gjatë ditëve të fundit në shumë televizione, mund të konsiderohet një tregues për gjendjen e mjeruar të administratës publike, e cila duket se nuk është në gjendje të kuptojë se çfarë është borxhi publik dhe se ku dallon një bono thesari nga një bono privatizimi.


Bonot e thesarit janë certifikata që vërtetojnë se një qytetar i ka dhënë borxh qeverisë një sasi parash.


Bonot e privatizimit janë letra me vlerë që u emetuan nga qeveria në vitin 1996 dhe që në teori përfaqësonin vlerën e ndërmarrjeve nën pronësi publike që duhej të nxirreshin në privatizim dhe të bliheshin nga qytetarët përmes këtyre letrave me vlerë. Prona publike përgjithësisht u vodh ose u shit përmes manipulimeve gjatë dy dekadave të fundit dhe rrjedhimisht, bonot e privatizimit u mbetën në dorë qytetarëve si letra pa vlerë. Nëse dikush ka bono privatizimi me vlerë nominale 5 milionë lekë, në fakt ka disa copa letre me ngjyra të bukura. Disa i ruajnë për koleksion, ndërsa përdorimi i tyre i vetëm praktik mund të jetë për t’u djegur për ngrohje.


Reklama e postës shpresojmë të mos ketë fuqi profetike dhe që të mos parashikojë që në një të ardhme të afërt, edhe bonot e thesarit të marrin vlerë të ngjashme me bonot e privatizimit.