Gjykata e Tiranes


Bllokuan procedurat për ekzekutimin e kolateraleve të kredive të këqija.


Pesë gjykatës, emrat e të cilëve nuk janë bërë ende të ditur, janë denoncuar për ndjekje penale nga Ministria e Drejtësisë pas ankesave të disa bankave për shkelje procedurale dhe bllokim të procesit të ekzekutimit të kolateraleve të kredive të pakthyera, bëhet e ditur nga Ministria e Drejtësisë.


Gjykatësit i përkasin gjykatave të Tiranës, Durrësit dhe Matit.


Mijëra shqiptarë vuajnë nëpër dyert e gjykatave çdo ditë dhe shumë besojnë se gjykatësit janë kthyer në institucione ku paguhen para nën dorë si për të fituar diçka që nuk të takon, ashtu edhe për të fituar atë që të takon, por disa gjykatës duket se kanë shkuar tepër larg me praktika të tilla duke u ngatërruar me bankierët, të cilët përbëjnë një lobing shumë të fuqishëm në Shqipëri.


Vlerësohet se aktualisht bankat kanë prona të bllokuara nëpër gjykata me vlerë prej rreth 150 milionë euro. Ata e kanë ngritur shqetësimin në nivelin më të lartë të qeverisë, gjë që duket se e ka detyruar këtë të fundit të marrë masa të paprecedent. Asnjëherë më parë Ministria e Drejtësisë nuk ka dërguar për ndjekje penale pesë gjykatës njëherësh. Gjykatësit deri më sot kanë patur status ligjor praktikisht të paprekshëm.


24 gusht 2012 (gazeta-Shqip.com)