Policia publikon foton me shpresë zbulimin e fatit të 72 vjeçarit.
Një shtetas italian i moshuar ka humbur kontaktet me familjen e vet prej shumë ditësh ndërsa gjendej në një udhëtim turistik në Malin e Zi, pranë kufirit me Shqipërinë, njoftoi policia shqiptare, e cila publikoi edhe fotot duke i kërkuar të gjithë shqiptarëve që mund ta kenë parë, të njoftojnë autoritetet.
“Shtetasi italian Otonello Giovanni Battista, vjeç 72, banues në Milano ka humbur kontaktet me familjarët e tij. Sipas informacionit të marrë nga autoritetet italiane, ky shtetas po zhvillonte një vizitë turistike në Mal të Zi dhe që nga data 8 gusht rezulton i humbur në një zonë malore në afërsi të kufirit me Shqipërinë, ku po zhvillonte një ekskursion,” njoftoi policia.
Nga autoritetet malazeze janë zhvilluar operacione kërkimi, por pa ndonjë rezultat. Nga familjarët e të humburit dhe autoritetet malazeze nuk përjashtohet mundësia, që ky shtetas të ketë kaluar në territorin e vendit tonë. Në këtë kontekst është kërkuar dhe bashkëpunimi i Policisë së Shtetit.
“Krahas organizimit të shërbimeve për gjetjen e këtij shtetasi, Policia e Shtetit kërkon edhe bashkëpunimin e qytetarëve, kryesisht në zonat në afërsi të kufirit. Për çdo informacion mbi këtë shtetas qytetarët mund të telefonojnë në numrin 129”, – thuhet në komunikatën e policisë.
24 gusht 2012 (gazeta-Shqip.com)