Kodi


Veliaj: Në shtator do të kërkojnë shtimin e një neni në ligj


Partia Socialiste do të propozojë një amendim në Kodin Zgjedhor, i cili parasheh votën e emigrantëve që në zgjedhjet parlamentare të vitit të ardhshëm. Ky amendim pritet të propozohet që me hapjen e sesionit parlamentar, në muajin shtator. Erion Veliaj, sekretar për Rininë dhe Emigracionin në PS, deklaroi dje për “Top Channel” se vota e emigrantëve është e rëndësishme dhe një nga mundësitë që ata të jenë pjesë e vendimmarrjes, është shtimi i një neni në Kodin Zgjedhor, përmes një amendamenti që po hartohet. Veliaj shton se PS e ka pasur gati propozimin për votën e emigrantëve, që është i përfshirë edhe në programin politik të PS. Ai është votimi me postë. Sekretari për emigracionin e ka cilësuar si jo të vërtetë deklaratën e Kryeministrit Berisha, i cili premtoi se do të garantojë të drejtën e votës për emigrantët. “Ka një dallim të madh nga e thëna në të bërë. Kryeministri thotë shumë gjëra që nuk i bën, siç është vota e emigrantëve. Ne e kemi propozuar në vitin 2008 në Komisionin e Reformës Zgjedhore sistemin e votës me postë, pra emigrantët jo vetëm në Greqi apo Itali, ku ka një sistem konsullor, por edhe në vende të tjera të votonin me postë, atëherë mbaj mend që përveç Gilman Bakallit, PD e hodhi poshtë atë propozim. Kurse në Komisionin e Reformës Zgjedhore të 2012-s, as nuk u fut në rendin e ditës, as nuk u pranua për t’u diskutuar. Arsyeja përse PD nuk e bën një gjë të tillë dhe Kryeministri nuk beson te vota emigrantëve, është shumë e thjeshtë. Një emigrant që është histori suksesi, qoftë ky një student apo një sipërmarrës apo një familje që ia ka nisur jetës nga e para dhe ka arritur sukses në Perëndim në thelb është një qytetar i lirë, i cili nuk blihet as me thes me miell e as me zarfin me para dhe kësisoj do të thotë që Berisha të pranojë një infuzion vote të lirë. Berisha nuk e njeh fare emigracionin. Ai ka jetuar ose në njërën anë të Bllokut, ose në anën tjetër të bulevardit”, tha Veliaj. Sekretari i PS-së thekson më tej se emigrantët po konsiderohen nga qeveria vetëm si burim i të ardhurave financiare. “Për disa njerëz që janë pjesë e estabilishmentit, (fjala vjen marrim rastin e PD-së), nuk e pengon opozita që në PD apo Këshillin Kombëtar të ketë përfaqësues të emigracionit. Fakti që nuk e bën, do të thotë, që nuk e kupton fare që një pjesë e konsiderueshme e kombit jeton jashtë. Duhet të mbajmë parasysh vetëm një fat. Çdo vit në Shqipëri vijnë 1 miliard euro nga remitancat e emigrantëve që jetojnë jashtë. Nëse kjo përbën 10 për qind të ekonomisë, është i vetmi faktor që amortizon në njëfarë mënyre krizën globale. Ajo që Berisha u thotë emigrantëve është që ‘ne duam që ju të jeni aksionerë ekonomikë, por jo aksionerë politikë me të drejtë vote’. A ka një sipërmarrje në botë, ku dikush ka aksione ekonomike, por i mohohet vota në vendimmarrjen e përbashkët? Shqipëria është një ndërmarrje e përbashkët e të gjithë qytetarëve të Shqipërisë. Disa qytetarëve nuk mund t’u thuhet: na sillni paratë, por jo vendimmarrjen dhe opinionin tuaj për mbarëvajtjen në Shqipëri! Besoj që e vetmja rrugë është që emigrantët, sidomos ata që janë më afër dhe kanë mundësi, ose ata që mund të telefonojnë familjet e tyre, të kontribuojnë në një rilindje shqiptare, në një fitore të asaj partie që është tashmë partia e emigrantëve shqiptarë, Partia Socialiste”, tha Veliaj.


Në disa vende të rajonit është integruar tashmë në ligjin zgjedhor edhe vota e emigrantëve, pasi ata përbëjnë një numër të konsiderueshëm të popullsisë. Kroacia, Maqedonia, madje edhe Bosnjë-Hercegovina e kanë vënë në zbatim votën me anë të postës, apo edhe në njësitë konsullore.


 


Variantet


Posta – Emigrantët, pasi tërheqin fletët e votimit në ambasadat apo konsullatat, e dërgojnë fletën me ‘postë rekomande’, e cila menaxhohet nga një kompani e specializuar


Ambasadat – Varianti i shteteve perëndimore është që përfaqësitë diplomatike, të cilat janë ambasadat apo edhe konsullatat, shërbejnë edhe si vende votimi ku ngrihen komisione të posaçme