Francë


Pak ditë më parë prishi tendat e tyre në periferitë e qyteteve


Qeveria franceze planifikon që të zgjerojë mundësitë e punësimit për emigrantët romë dhe t’i lehtësojë punëmarrësit nga disa taksa për të promovuar marrjen e tyre në punë.


Në fillim të këtij muaji, policia franceze shpërbëri disa kampe romësh në afërsi të Parisit, Lionit dhe Lilës dhe dërgoi në Rumani me avion 240 romë. Përjashtimet janë kritikuar ashpër nga grupet e të drejtave të njeriut. Të mërkurën, qeveria franceze mbrojti faktin e shpërbërjes dhe prishjes së fushimeve të “pista” të romëve, por nga ana tjetër, deklaroi marrjen e një sërë masash për të integruar romët në Francë, kryesisht përmes punësimit. Kritikët e spastrimeve të romëve deklaruan se qeveria socialiste po imitonte pa asnjë ndryshim veprimet e kritikueshme të qeverisë së mëparshme të djathtë të Sarkozisë, që shkaktuan pështjellim dhe përplasje të madhe mes qeverisë së asaj kohe dhe grupeve të shumta të të drejtave të njeriut. Në atë kohë edhe Komisioni Europian e dënoi një politikë të tillë të romëve.


Ndërkohë, Kryeministri aktual i Francës, i cili drejtoi mbledhjen e qeverisë franceze të mërkurën për çështjen e romëve, deklaroi se do të vendoseshin politika lehtësuese për punësimin e romëve, që do të lehtësonin punëdhënësit dhe nga ana tjetër, do të integronin romët në shoqëri dhe do t’u jepnin një mundësi normale jetese dhe shoqërizimi si të gjithë të tjerët. Pjesa më e madhe romëve në Francë janë nga Bullgaria dhe Rumania, që u bënë pjesë e BE-së në vitin 2007. Në këtë mënyrë, ata kanë pasur mundësi që atëherë që të zhvendoseshin nga Bullgaria dhe Rumania në Francë dhe në shtete të tjera në kampet e ngritura në periferi të qyteteve. Që nga futja e këtyre vendeve në BE, Franca, Britania dhe gjashtë shtete të tjera të BE-së kanë aplikuar një barrierë për të ardhurit nga Bullgaria dhe Rumania, në mënyrë që të shmangnin ardhjen e romëve. Por megjithatë, këto politika nuk kanë e ndalur ardhjen e tyre me shumicë në këto vende.


Lajmi i planit të punësimit të romëve është pritur shumë mirë edhe nga Bashkimi Europian, që gjatë gjithë kohës i ka mbrojtur të drejtat e romëve dhe ka kritikuar të gjitha masat e ashpra dhe radikale të marra nga qeveri të ndryshme për t’ua prishur tendat dhe për t’i kthyer ata në shtëpi.