Deklarata


Ish-ambasadori shqiptar në Greqi: Duhet transparencë


Bashkim Zeneli


Ish-ambasadori Bashkim Zeneli del kundër qëndrimeve të mbajtura nga Ministria e Jashtme në lidhje me ecurinë e marrëveshjes për paktin detar kufitar mes dy vendeve. “Mendoj se në këto deklarata të fundit nga Ministria e Jashtme ka pasur mungesë serioziteti, por do thoja edhe përgjegjshmërie. Më duket se kanë dashur të thonë diçka dhe kanë krijuar më shumë konfuzion. Së pari do thoja që nuk ka marrëveshje, marrëveshja është nul, marrëveshja është hedhur poshtë nga Gjykata Kushtetuese, por edhe sikur të mos ishte hedhur poshtë, nuk është ratifikuar nga pala greke, pra nuk ka marrëveshje. Sa i përket grupit të punës, i duhet bërë transparent publikut”, shprehet për “Ora News”, Zeneli. Sipas tij, deklaratat e fundit për nisjen e negociatave për marrëveshjen detare me Greqinë lexohen si të papërgjegjshme.


Ish-ambasadori e cilëson të vonuar ngritjen në këtë periudhë të grupeve të punës për bisedime, pasi ekipi negociator, sipas tij, duhet të kishte marrë jetë menjëherë pas rrëzimit të paktit nga Gjykata Kushtetuese, pra dy vjet më parë. Zeneli më tej shprehet se “nuk ka vend për deklaratat e fundit për dërgim të kësaj çështje në Gjykatën Ndërkombëtare”. “Nuk ka çfarë çohet në Gjykatën e Arbitrazhit, nuk ka marrëveshje. Është si të shkosh në Gjykatën e Tiranës apo të Durrësit dhe të thuash dua të divorcohem me gruan time, e të thotë më sill certifikatën e martesës. Nuk ka martesë. Ç’punë ka gjykata? Nuk ka marrëveshje. Marrëveshja është hedhur poshtë”, vijon Zeneli. Për çështjen e marrëveshjes së paktit detar, ka pasur edhe një deklaratë nga ana e sekretarit të përgjithshëm të AKZ-së, Myslym Pashaj. Edhe ai ka shprehur habinë për idenë e hedhur se mund të shkohet në Gjykatën Arbitrazhit në Hamburg. “Për të shkuar në Arbitrazh duhet që të dyja shtetet të bien dakord, të kërkojnë mendimin e njëri-tjetrit meqë ka probleme dhe më pas të drejtohen ta zgjidhin në Gjykatën e Arbitrazhit. Pra duhet të kenë mirëkuptim me njëri-tjetrin përpara se të shkohet në Gjykatë”, tha Pashaj. Sipas tij, Greqia dhe Shqipëria nuk do të mund të rinegociojnë një marrëveshje të dytë për caktimin e kufijve detarë mes dy vendeve, në kushtet kur pala greke ka bërë të qartë se nuk njeh marrëveshje tjetër përveç asaj të firmosur në vitin 2009.


 


Sqarimi


Ministria: Panariti, në unison me Turdiun


Ministria e Punëve të Jashtme, në një reagim të saj, sqaron pozicionin e ministrit Edmond Panariti në lidhje me paktin detar me Greqinë, duke theksuar se në asnjë rast nuk flitet për negociata. “Deklarimet e bëra nga ministri i Punëve të Jashtme, z. Edmond Panariti, në konferencën për shtyp të datës 14 gusht dhe deklarimet e sekretarit të përgjithshëm, z. Gazmend Turdiu, përputhen me njëra-tjetrën dhe me vijën e politikës së jashtme të Republikës së Shqipërisë”, thuhet në reagimin e MPJ-së. “Nuk mund të jap, për arsye sepse do të ishte e parakohshme dhe spekulative që unë të bëja publike rezultate që janë akoma në përpunim”, tha Panariti më 14 gusht. Për kohën se kur do të bëhen publike këto rezultate, kryediplomati u përgjigj “së shpejti”, pa përcaktuar një afat të saktë.