Flet Julien Coustaury, drejtor i përgjithshëm i kompanisë “Plus Communication”


Drejtorori i Plus Communication – Julien Coustaury


Kompania “PLUS Communication” shpreh shqetësimin e saj pas shpalljes së tenderit të AKEP për dy licencat 3G me çmim dysheme 4 milionë euro. Sipas drejtorit ekzekutiv të PLUS, Julien Coustaury, kjo situatë dëmton konkurrencën në treg dhe vendos një situatë duopoli të dëmshëm. PLUS shpreson që AKEP të konsiderojë anulimin e vendimit dhe lehtësimin e kushteve për një konkurrencë të plotë në favor të konsumatorëve shqiptarë


 


Si e komentoni vendimin më të fundit të AKEP për shpalljen e tenderit të ri për licencat 3G?


Jemi të shqetësuar që komentet tona nuk janë marrë parasysh. AKEP vendosi një çmim afërsisht dy herë më të lartë se oferta e dhënë gjatë konsultimeve publike, si dhe larg logjikës ekonomike të përdorur në vende të tjera perëndimore. Mbetet edhe më shqetësues fakti, që kjo situatë mban në fuqi statuskuonë e vendosur, nga një duopol, që i ka dëmtuar tashmë konsumatorët shqiptarë për vite me radhë.


 


Çfarë pritet të ndodhë nga ky vendim, kush mendoni se do të jenë efektet që do të sjellë?


Në vazhdën e një procesi në pikënisje transparent dhe pro liberalizimit të licencave 3G, shpresojmë që AKEP do të shprehë angazhim më të madh për të promovuar konkurrencën në këtë treg. Vendimi i fundit e prapëson këtë proces duke krijuar jo vetëm anomali në treg, por duke mos lejuar që konsumatori fundor të përfitojë nga produkte inovative dhe skema çmimesh të ndryshme nga ato që ofrohen sot në treg.


 


Cilët do të jenë hapat tuaj të mëtejshëm?


Sigurisht që ne shpresojmë së pari në anulimin e këtij vendimi dhe marrjen parasysh në mënyrë serioze të komenteve të PLUS gjatë procesit të konsultimit paraprak. Ne si kompani duam të mbetemi inovativë dhe lider në produkte dhe oferta, duke e shtrirë gamën edhe në shërbimin data. Shpresojmë që AKEP të tregojë mprehtësi dhe fleksibilitet, dhe të na lejojë të jemi pjesëmarrës në treg nëpërmjet konkurrencës së ndershme, nga e cila sigurisht do të përfitojnë mbi të gjitha konsumatorët fundorë.


Vendimi i AKEP nuk i lejon konsumatorit të përfitojë nga produktet inovative dhe skema çmimesh të ndryshme


Tenderi


Në tetor, dy licenca të tjera


AKEP ka vendosur që në muajin tetor, më datë 10, të zhvillojë tenderin për dhënien e dy licencave të tjera për shërbimin e avancuar të komunikimit dhe transferimit të të dhënave 3G. Ky shërbim ofrohet aktualisht nga dy kompani, “Vodafone” dhe AMC, ndërsa konkurrentë kryesorë për ta blerë në tetor janë PLUS dhe “Eagle Mobile”. Debati qëndron në faktin se çmimi i vendosur nga AKEP prej 4 milionë eurosh nuk konsiderohet i drejtë nga shoqëritë konkurruese, pasi sipas tyre, ky shërbim ofrohet aktualisht nga dy kompani. Në tenderët e mëparshëm, dy licencat janë shitur 31 dhe 15 milionë euro, në një kohë kur çmimi dysheme ishte i njëjtë prej 12.5 milionë euro.


 


Tregu


Vetëm 6% përdorin shërbimin e 3G-s


Nga të dhënat zyrtare, mësohet se, numri i pajtimtarëve që përdorin shërbimet 3G në të dy rrjetet është rreth 280 mijë, ose gati 6 për qind në raport me totalin. Njëkohësisht përdoruesit me karta modem/USB 3G, që lejon aksesin në internet, nëpërmjet PC është rreth 34 mijë, që përbën 20 për qind të pajtimtarëve totalë (fiks dhe 3G) me akses broadband në Shqipëri


Të ardhurat totale të sipërmarrësve në tregun e komunikimeve elektronike për vitin 2011 ishin 51.922 milionë lekë, ku të ardhurat e operatorëve celularë përbëjnë rreth 75% të të ardhurave të të gjithë tregut, kurse “Albtelecom” zë rreth 18%.


Në fund të vitit 2011, numri i pajtimtarëve të telefonisë së lëvizshme arriti në afërsisht 5.2 milionë, e cila përbën një normë penetrimi (numri i përdoruesve për 100 banorë) prej 185%, një shifër shumë më e lartë se niveli prej 140% në vitin 2010, apo niveli mesatar në vendet e BE-së prej 124% në 2010. Numri i pajtimtarëve celularë i referohet numrit të kartave SIM aktivë, dhe politikat e operatorëve janë që një kartë SIM mund të jetë aktive për një vit nga momenti i kryerjes së thirrjes së parë, dhe nëse koha e bisedës përfundon para afatit 1-vjeçar pajtimtari mund të marrë thirrje hyrëse për 6 muaj