Vlerësimi i tyre do të vlejë për vazhdimin e lëvrimit të kredisë
Kur janë në një mendje Gjermania dhe Franca, në shumicën e rasteve iu bashkohet edhe pjesa tjetër e Europës. Në rastin e Greqisë duket se mungon ende një linjë e përbashkët. Përpara takimit me Kryeministrin grek Antonis Samaras, kancelarja gjermane, Angela Merkel, dhe Presidenti francez, François Hollande, i bënë thirrje vendit në krizë, të vazhdojë kursin e kursimeve. “Unë do ta inkurajoj Greqinë të ecë përpara në rrugën e reformave, e cila kërkon shumë nga vetë grekët”, tha Merkel të enjten në mbrëmje në Berlin, pak pas takimit me Presidentin Hollande. Presidenti francez i bëri thirrje Athinës për “përpjekje të pashmangshme”, në mënyrë që të mund të qëndrojë në Eurozonë. Merkel kërkoi që në Eurozonë të gjitha palët të përmbushin detyrimet. Në mes të diskutimit për një shtyrje të mundshme kohore për zbatimin e programit grek të reformave, kancelarja bëri thirrje që të pritet fillimisht raporti i trojkës. Presidenti francez theksoi se është për mbetjen e Greqisë në Eurozonë, por tërhoqi vëmendjen se është detyrë e Athinës të bëjë përpjekjet e nevojshme për arritjen e këtij objektivi. Është një sekret publik nëse Hollande do të ishte i gatshëm t’i përgjigjej pozitivisht kërkesës së Kryeministrit grek për më shumë kohë në zbatimin e reformave. Gjermania nuk e mbështet këtë qëndrim. Jo vetëm kancelarja Merkel, po edhe ministri gjerman i Financave Wolfgang Schäuble dhe ai i Ekonomisë Philipp Rösler, e theksuan qartë këtë të enjten. Dhënia e më shumë kohe nuk do të ishte zgjidhje dhe mund të shkaktojë madje kosto më të larta, tha Schäuble. Se sa e dëshpëruar është situata e grekëve bëhet e qartë në një intervistë të Kryeministrit Samaras për “Süddeutsche Zeitung”. Vendi i tij do t’i paguajë patjetër kreditë e emergjencës prej 100 miliardë eurosh, “këtë e garantoj personalisht”, u shpreh Samaras për gazetën. Por objektivin për një deficit buxhetor prej 3% ai shpreson që Greqia ta arrijë vetëm në vitin 2016, pra dy vjet më vonë nga sa është përcaktuar nga trojka.