Reportazh
Familjarët: Gjini s’kishte lidhje me vrasjen, donte të vazhdonte shkollën
Ardi Hoti
Një ditë pas vrasjes për gjakmarrje të 20-vjeçarit Gjin Guri dhe plagosjes së vëllait të tij Gjevahir Guri, policia ka marrë nën mbikëqyrje banesën e viktimës ashtu dhe të autorit të cilat janë vetëm 50 metra larg njëra-tjetrës. Fakti që dy familjet në hasmëri me njëra-tjetrën ndodhen shumë pranë, ka bërë që policia të mbajë nën vëzhgim dy shtëpitë dhe gjithë zonën, për të parandaluar ndonjë përplasje të mundshme mes palëve që janë në gjak. Që në hyrje të fshatit Bardhaj kupton se nuk është një ditë e zakonshme në këtë zonë. Rrugën për të shkuar te familja ku ka rënë morti në këtë ditë është shumë e lehtë për ta gjetur, pasi njerëzit e shumtë janë nisur për ngushëllim tek familja Guri. Në brendësi të fshatit, në një rrugë dytësore, ndodhet shtëpia që ka hapur dyert për mort, ndërsa përballë saj rreth 50 metra, është shtëpia e cila ka shkaktuar mortin. Te njëra vajtohet dhe dëgjohen britmat e hidhërimit, ndërsa te banesa e hasmit janë mbyllur dyer dhe dritaret dhe as nuk shihet dhe as nuk dëgjohet njeri. Gratë e veshura me të zeza dhe me lot në sy dhe burrat që mundohen të qëndrojnë të fortë, duke shtrënguar fort mes gishtave cigaret e dredhura janë e vetmja panoramë që mbizotëron në këtë ditë hidhërimi te familja Guri. Një kushëri i viktimës, i cili flet shumë pak për atë që ka ndodhur, shprehet se “Gjini nuk ishte për t’u vrarë, nuk i kishte asnjë borxh, ishte një djalë shumë i urtë dhe kishte dëshirë të vazhdonte shkollën. Ishte një djalë që mundohej të punonte për të ndihmuar familjen, nuk kishte asnjë lidhje me sherret dhe vrasjet. Gjini është djali i xhaxhait i atij që ka kryer vrasjen pesë vite më parë dhe të vritet ky për të marrë gjak është e pakuptimtë dhe në një kohë që autori po vuan dënimin në burg”. Ndërkohë, i plagosuri i ngjarjes së dy netëve më parë Gjevahir Guri, vëllai i viktimës, ka kaluar rrezikun për jetën dhe vazhdon të jetë në reanimacionin e spitalit rajonal të Shkodrës.
Ngjarja e një nate më parë në Shkodër, ku dy vëllezër u qëlluan në pritë nga gjakësi që ishte komshi me ta, e për pasojë mbeti i vrarë 20-vjeçari Gjin Guri dhe u plagos rëndë i vëllai Gjevahir Guri, ka risjellë frikshëm fenomenin e gjakmarrjes në Qarkun e Shkodrës. Gjakmarrja në Veri të Shqipërisë dhe në veçanti në Qarkun e Shkodrës, muajt e fundit ka dhënë sinjale të frikshme, ku dhe fëmijët dhe femrat janë qëlluar për vdekje në emër të gjakmarrjes. Por nga ajo se çfarë arrihet të kuptohet dhe ajo se çfarë nuk e thonë haptazi familjet në hasmëri, qëndron te fakti se autorët që kryejnë vrasje duhet të marrin ose dënim me burg të përjetshëm ose duhet rikthyer dënimi me vdekje: “kush vret duhet vrarë”. Dënime të tilla, me 15 vite burg apo 20 vite burg, vetëm sa acarojnë familjet në konflikt.