Korçë


Rama dhe bashkëpunëtorët e tij “ngujohen” në një hotel në qendër të qytetit


Gëzim Ashimi


Ka nisur dje në Korçë, takimi i liderit socialist, Edi Rama, me disa nga drejtuesit dhe deputetët kryesorë të opozitës për të diskutuar planin e vjeshtës që do të artikulohet në Parlament dhe jo vetëm. Ka qenë “shtabi i përgjithshëm” i selisë rozë, ku përveç Edi Ramës dhe Gramoz Ruçit, në hotelin që ndodhet në qendër të qytetit janë akomoduar edhe krerët kryesorë të selisë rozë si Ben Blushi, Sajmir Tahiri, Ditmir Bushati, Fatmir Xhafa, Bashkim Fino, Erjon Veliaj, Ilir Beqja dhe Endri Fuga. Burime në selinë rozë, kanë bërë të ditur se nuk ka qenë një mbledhje e forumeve, pra e kryesisë apo e kryesisë së grupit parlamentar, por vetëm e kryetarit me disa drejtues të grupit, sekretarët përkatës dhe një pjesë të stafit që do të niset në Bruksel në ditët e para të shtatorit për të informuar krerët e BE-së me qëndrimet e opozitës. Pjesëtarë nga takimi, të kontaktuar nga “Shqip” nuk kanë pranuar të prononcohet në lidhje me mbledhjen-seminar që ka nisur prej dy ditësh në qytetin juglindor, por mësohet se është diskutuar baza e strategjisë që do të prodhojë dhe reagimin e fortë në nisjen e sezonit të ri parlamentar. I vetmi që është prononcuar për mediat, gjatë ditës së djeshme ka qenë kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, i cili ka folur për hetimin parlamentar ndaj ministrit të Mbrojtjes. Por siç mësohet, tema e bisedimeve ka qenë një taktikë që do të përpunohet në tre drejtime: lufta parlamentare, krijimi i aleancave të reja opozitare, duke mos përjashtuar edhe përfshirjen e pjesëve të mazhorancës aktuale, si dhe beteja ndërkombëtare, kryesisht në kancelaritë e Bashkimit Europian, por edhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në një intervistë në fund të sezonit parlamentar, kreu socialist, Edi Rama, foli për një “plan sekret që do të aktivizohet gjatë vjeshtës”. Plan i cili ka një tangjente me editorialin e famshëm para zgjedhjes së Presidentit të Republikës për rrëzimin e qeverisë, para kremtimit të 100-vjetorit të pavarësisë. Disa ditë më parë, kreu i opozitës, Edi Rama, zhvilloi një takim me kryetarin e LSI-së, Ilir Meta, gjatë homazheve që u zhvilluan në Tetovë për nder të Arbën Xhaferrit.


 


Qyteti – Nuk dihet pse është zgjedhur Korça për takimin, por burime në PS thanë se ky qytet është i rëndësishëm për hartën e re elektorale


Plani – Përbëhet nga tri degë: ai i luftës parlamentare, zgjerimi i aleancave edhe me njerëz të mazhorancës dhe beteja ndërkombëtare


 


Për emigrantët


Braçe replikon me Erjon Veliajn


Replikat e Erion Braçes kanë prekur dje edhe drejtues të selisë rozë. Deputeti socialist ka debatuar në distancë ndaj një prononcimi të sekretarit për Rininë dhe Emigracionin, Erjon Veliaj, ku fliste për remitancat e emigrantëve, ose thënë ndryshe paratë që ata u dërgojnë familjeve të tyre në Shqipëri. Veliaj ka pohuar se “çdo vit në Shqipëri vijnë 1 miliard euro nga remitancat e emigrantëve që jetojnë jashtë”. Dhe ka qenë pikërisht kjo shifër që ka shkaktuar reagimin e deputetit të Beratit. “A mund t’i thotë kush sekretarit Veliaj se remitancat e emigrantëve nuk janë më 1 miliard, as dollarë e as euro?”, pyet me ironi Braçe nga faqja e tij në “Facebook”. Braçe e mbyll komentin e tij me një fjali që duket se i drejtohet direkt sekretarit Veliaj: “Mos fol për gjëra që as i di e as s’i kupton, ky është mësimi”.