Temperaturat e larta
Mjekët këshillojnë: Ruajini ushqimet në vende të freskëta
Numri i pacientëve që shfaqin probleme me shëndetin në këto ditë të nxehta vere rritet dita-ditës. Mjekët e urgjencës së sëmundjeve të brendshme në qendrën spitalore universitare “Nënë Tereza”, bëjnë me dije se numri i përditshëm i pacientëve që marrin ndihmë të shpejtë arrin në 150. Mësohet se 50% e tyre e zënë të sëmurët kronikë me zemër dhe ata që vuajnë nga hipertensioni. Mjekët sqarojnë se shkaku kryesor i këtij fluksi pacientësh është rritja e temperaturave, por edhe neglizhenca e vetë pacientëve lidhur me mjekimin që duhet të marrin. 15-ditëshi i dytë i korrikut dhe muaji gusht e ka shtuar numrin e të sëmurëve kronikë me zemër. Mjekët kardiologë, si çdo sezon veror kur dhe temperaturat e nxehta kulmojnë, u kërkojnë pacientëve, të evitojnë frekuentimin në orët e pikut të vapës.
Numër të konsiderueshëm të pacientëve që i drejtohen urgjencës së spitaleve nuk zënë vetëm të sëmurët kronikë me hipertension apo me zemër, por edhe kategori të tjera personash që janë me virozë stinore. Sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik, numri i të prekurve nga virozat është rreth 11 mijë, ata të cilët i janë drejtuar dhe vazhdojnë të kurohen në urgjencat e spitaleve për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore.
Përballë kësaj situate problematike, mjekët apelojnë të evitohen orët e nxehta të pikut, ku temperaturat janë tejet të rrezikshme, sidomos për fëmijët dhe të moshuarit. Instituti i Shëndetit Publik, bën me dije se gjatë një jave në vend raportohen mbi 11 mijë raste me simptoma të stinës, nga të cilat rreth 7600 janë raste me infeksione respiratore të sipërme dhe të poshtme, ndërsa rastet me diarre janë mbi 3400.
Specialistët e shëndetësisë këshillojnë qytetarët të konsumojnë ujë të sigurt, të lajnë duart vazhdimisht, t’i ruajnë ushqimet në frigorifer apo në vende të freskëta si edhe të konsumojnë ushqime të freskëta.