Opozita, tryezë në qytetin e Korçës për përcaktimin e strategjisë së re politike


GËZIM ASHIMI


Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, duhet t’i japë llogari Parlamentit për përgjimin e jashtëligjshëm dhe trafikut të armëve. Në Korçë, kryetari i PS-së, Edi Rama, dhe drejtues të lartë të partisë më të madhe opozitës zhvilluan tryezën e opozitës për të diskutuar mbi strategjinë e re të PS-së si parapërgatitje për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Kreu i grupit parlamentar të socialistëve, Gramoz Ruçi, në fjalën e tij akuzoi strukturat e Ministrisë së Mbrojtjes, për pretendimet që ka opozita për përgjimin e saj dhe të diplomatëve më të rëndësishëm të akredituar në vendin tonë. “Siç është kjo çështja e përgjimit të opozitës dhe e përfaqësuesve të diplomacive të huaja, nga shërbime të paautorizuara nga ligji dhe Kushtetuta, të cilat janë bërë prezentë nga ne në mbyllje të sesionit parlamentar dhe sigurisht do të institucionalizohen me hapjen e sesionit të ri parlamentar. Komentet i ka bërë përfaqësuesi ynë i Komisionit të Sigurisë dhe sigurisht në konsultim dhe në ballafaqim me ligjin do të kemi hapat tanë institucionalë në sesionin e ri parlamentar”, deklaroi Ruçi. Zyrtari i lartë i socialistëve ka vënë në dukje dhe faktin se emërimet e Imamit janë kryer nga Imami në radhët e gjeneralëve dhe të drejtuesve të Forcave të Armatosura. “Përderisa një ushtarak i këmbësorisë caktohet të drejtojë Flotën Detare, konkluzioni është i qartë pra, në kundërshtim me ligjin”. Opozita prej kohësh ka ngritur pretendimin e bllokimit të mbikëqyrjes parlamentare nga ana e ministrit të Mbrojtjes, Arben Imami. Ky bllokim është cilësuar si antiligjor. Nisur nga ky qëndrim refraktar e antiligjor i Imamit, PS-ja pritet të institucionalizojë nismën e saj konkrete në Kuvend. Që prej së enjtes, lidershipi i PS-së është vendosur në qytetin e Korçës së bashku me grupin që do të hartojë strategjinë politike. Gramoz Ruçi, Ben Blushi, Fatmir Xhafaj, Ilir Beqja, Ditmir Bushati, Namik Dokle, Bashkim Fino e Erion Veliaj do të përcaktojnë axhendën që deputetët socialistë do të ndjekin në Parlament, mënyrën e organizimit të të gjitha strukturave nga qendra në bazë për vitin elektoral, si dhe rrugën që do të ndiqet për të përfshirë sa më shumë aktorë në koalicionin opozitar. Materiali që pritet të përgatisë grupi i punës për strategjinë e komunikimit do të jetë pjesë e diskutimit dhe vendimmarrjes së kryesisë socialiste dhe Asamblesë Kombëtare që pritet të mblidhet gjatë muajit shtator. Sesioni i ri kuvendor pritet të startojë me disa nisma institucionale nga ana e opozitës. Ngritja e komisioneve hetimore është një opsion i opozitës për çështjet që shqetësojnë vendin. Por në shtator mund të vendoset përfundimisht nëse duhet të ketë një nismë për ngritjen e komisionit hetimor ndaj Imamit ose jo.