Samaras & Berisha


Deputeti i PS-së: Qeveria të bëjë transparencë për bisedimet


Qeveria: Kryeministri ka nxjerrë një urdhër vitin e kaluar, ku i kërkohet MPJ-së që të ngrejë grupin e punës për zbatimin e vendimit të marrë në vitin 2009 nga ana e Gjykatës Kushtetuese


Arbitrazhi: Kryediplomati Panariti ka hedhur idenë e ballafaqimit me palën greke në Gjykatën e Arbitrazhit për çështjen e kufirit me Greqinë, kjo në rast se nuk bihet dakord për marrëveshjen e re


Zeneli: Ish-ambasadori Bashkim Zeneli ka kontestuar qëndrimin e mbajtur nga zyrtarët e MPJ-së në lidhje me ballafaqimin në Gjykatën e Arbitrazhit, pasi kjo është e pamundur, pasi s’ka një pakt në fuqi


BLEDAR HOTI


Partia Socialiste akuzon mazhorancën për qëndrime kontradiktore për sa i përket çështjes së marrëveshjes së kufirit detar mes Shqipërisë dhe Greqisë. Njëherësh opozita i kërkon qeverisë të realizojë transparencë për një çështje kaq sensitive, e cila pati edhe involvimin e Gjykatës Kushtetuese. Kryetari i Komisionit Parlamentar të Integrimit, deputeti i PS-së, Ditmir Bushati, në një deklaratë për mediat theksoi se i kërkon qeverisë paraqitjen e një strategjie të përbashkët dhe transparente me palën greke për çështjen e kufirit detar. “PS-ja do ta monitorojë këtë çështje nga afër, duke kërkuar respektim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Kufijtë nuk janë një çështje që përcaktohet sipas dëshirave të një Kryeministri apo një tjetri, por në bazë të së drejtës ndërkombëtare për hapësirat detare të shteteve”, tha Bushati. Deputeti i PS-së kërkoi mbi të gjitha transparencë, duke i konsideruar jo serioze deklaratat e zyrtarëve dhe ministrit të Punëve të Jashtme për ngritjen e grupit të punës, si pasojë e vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Sipas tij, vendimet e gjykatës, i pëlqejnë ose jo qeverisë, duhet të zbatohen. “Kemi pasur deklarata kontradiktore nga zyrtarët në qeveri. Është koha për transparencë dhe jo për të abuzuar. Të sqarohet, sepse kjo çështje është delikate për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian”, tha Bushati. Për kreun e Komisionit të Integrimit, “nuk duhen përsëritur gabimet e së shkuarës dhe se duhet një bashkëpunim në këtë çështje”. Pas qëndrimeve të ndryshme, opozita vërejti se qeveria shmangu detyrimin për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, i marrë dy vite më parë. “Pas rreth dy vitesh nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese në lidhje me shfuqizimin e ‘marrëveshjes së detit me Greqinë’, qeveria paska ngritur grup pune për të ‘studiuar’ vendimin! Kjo gjë duhet të kishte ndodhur menjëherë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese së bashku me nxjerrjen e përgjegjësive për shkeljen kushtetuese të konsumuar, e cila nuk parashkruhet!”, reagoi Bushati. “Ndërsa sot, Ministria e Punëve të Jashtme duhet të ishte në gjendje të prezantonte vizionin e saj strategjik me të gjithë aktorët politikë dhe shoqërorë për të arritur në një zgjidhje të drejtë, e jo të belbëzonte në mënyrë kontradiktore për një çështje kaq të rëndësishme!”. Bushati, për gazetën “Shqip”, thekson rëndësinë e vendimit të zbatimit të Gjykatës Kushtetuese, paçka nëse ai është kundër qeverisë. “Një shtet serioz me të dalë vendimi i Gjykatës Kushtetuese e zbaton dhe fillon korrektimin e praktikës, pavarësisht nëse i pëlqen apo jo. Mbi bazën e zbatimit të tij fillon e përpunon strategjinë se si do ta trajtojë këtë çështje dhe më pas përfshin edhe grupet e tjera”, thekson deputeti socialist. Bushati në të njëjtën kohë flet edhe për qëndrimet kontradiktore të zyrtarëve të Ministrisë së Jashtme në lidhje me çështjen e grupit të punës apo për faktin e nisjes ose jo të negociatave. “Janë kontradiktore dhe të lënë shijen e keqe që me një çështje kaq të rëndësishme spekulohet e si përfundim nuk nxirret asgjë! Kjo është një gjyle që ia krijoi qeveria vetë vetes dhe tani s’di ç’të bëjë me të!!!”, thekson Bushati. Opozita, nga ana e saj, ka bërë të qartë se me nisjen e sesionit të ri parlamentar do ta ketë në axhendën e saj thirrjen e ministrit të Jashtëm, Panariti, në një seancë dëgjimore për çështjen e marrëveshjes detare me Greqinë.


2009: Pakti detar me Greqinë u ratifikua vetëm nga Kuvendi i Shqipërisë në vitin 2009


2010: Gjykata Kushtetuese mori vendimin në unanimitet për rrëzimin e paktit të ratifikuar nga mazhoranca


2011: Qeveria nxori në korrik të vitit të kaluar vendimin për ngritjen e grupit të punës


2012: Vetëm pas një viti, Ministria e Punëve të Jashtme paralajmëroi ngritjen e grupit të punës


Distanca: Qëndrim të ndryshme nga shtetarët për marrëveshjen kufitare me Greqinë


MPJ: Ka grup pune, Berisha: Nuk ka asgjë konkrete


Ministria e Punëve të Jashtme zyrtarisht ka bërë publike ngritjen e grupit të punës për të studiuar mbi mundësinë e rinegocimit të paktit detar për marrëveshjen e ujërave. Një fakt i tillë është konfirmuar si nga kryediplomati Edmond Panariti, ashtu edhe nga kreu i këtij grupi pune, sekretari i përgjithshëm i MPJ-së, Gazmend Turdiu. “Nuk ka negociata me palën greke. Kjo është e padiskutueshme. Ka një grup pune i ngritur mbi bazën e urdhrit të Kryeministrit që ka detyrë të shqyrtojë situatën dhe të paraqesë propozime në aspektin teknik, për t’i paraqitur këto propozime më pas në institucionet vendimmarrëse për shqyrtim dhe për vendimmarrje”, deklaroi Turdiu disa ditë më parë. Porse vetë Kryeministri Berisha, në daljen publike, e mohoi ngritjen e grupit të posaçëm të punës. “Ka një muaj rresht që media merret me një çështje tërësisht të sajuar, por unë e kam kuptuar këtë si një nevojë për të mbijetuar në gusht. Për sa i përket kësaj ju garantoj ju se asnjë grup pune nuk është krijuar, asnjë marrëveshje nuk është negociuar, asnjë veprim nuk është bërë. Duke theksuar këtë, do të theksoj anën tjetër. Shqipëria do të hapë negociatat për të zgjidhur me vendet fqinje të gjitha problemet që ekzistojnë. Këtu ne nuk kemi asnjë hezitim dhe jemi të hapur, por sigurisht në respekt të plotë të ligjeve, Kushtetutës së vendit, vendimeve, përcaktimeve të Gjykatës Kushtetuese, vendime të cilat kanë tagrin, forcën e prerogativave kushtetuese. Por me vendin mik Greqinë, Maqedoninë, dhe çdo lloj vendi do të diskutojmë çdo problem të mbetur. Po ju jap një shembull tjetër. Ekzistojnë marrëveshjet e ujërave me Maqedoninë që janë të viteve ‘60. Ne do të ulemi me Maqedoninë të diskutojmë marrëveshjet, sepse kemi ujërat, kemi Prespën, Ohrin, kemi mënyrat e trajtimit, të shfrytëzimit, bashkëveprimit etj., etj. Pra marrëveshjet me fqinjët janë një normë konstante. Këto janë të vërteta, si do të vazhdoni është puna juaj, por bashkë me gushtin ikën dhe vapa”, tha Berisha në konferencën e dhënë dy ditë më parë. B.HOTI