Astronauti i ‘Apollo 11’ ndërroi jetë në moshën 82-vjeçare. Më 20 korrik 1969 u bë i pari njeri që shkeli në Hënë
Njeriu i parë që pushtoi Hënën, i dha lamtumirën jetës së tij tokësore. Neil Armstrong, njeriu i parë i cili më 20 korrik 1969 shkeli në satelitin hënor, ndërroi jetë në moshën 82-vjeçare. Astronauti amerikan, komandanti i misionit ‘Apollo 11’, vdiq nga problemet kardiake si rezultat i komplikacioneve pas një ndërhyrjeje kirurgjikalë të cilës iu nënshtrua në fillim të muajit.
Armstrong mbërriti në Hënë në bordin e ‘Apollo 11’ së bashku me Buzz Aldrin dhe Michael Collins, më 20 korrik 1969. Ishte i pari njëri që vuri këmbën mbi Hënë dhe shqiptoi frazën historike: “Ky është një hap i vogël për njeriun, por një kërcim gjigant për njerëzimin”.
Ky moment përbën një nga zhvillimet më të rëndësishme në historinë e mbarë njerëzimit çka e ktheu Armstrong në një ikonë të të gjitha kohërave.
Armstrong lindi në Ohajo, në vitin 1930 nga një familje me origjinë gjermane dhe përpara se të bëhej astronaut, pati një karrierë të suksesshme në aeronautikë.
Humbja e tij ka pikëlluar jo vetëm amerikanët, por gjithë njerëzimin duke qenë se hapi i tij i parë në Hënë përfaqësonte hapin e qenies njerëzore në një vend të panjohur dhe të paprekur më parë. Presidenti Obama, pasi ka shprehur dhimbjen për humbjen e tij, e ka cilësuar Armstrong si një hero të të gjitha kohërave.

26 gusht 2012 (gazeta-Shqip.com)