Në ditën e dytë të qëndrimit të saj në Vjenë, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, dhe kryeparlamentaret e tjera të Europës, u pritën në Bashkinë e Vjenës dhe nga Presidenti i Austrisë, Heinz Fisher. Gjatë pritjes, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, njohu Presidentin Fisher mbi zhvillimet e fundit në Shqipëri. “Në kohë sfidash globale, tha Topalli, Shqipëria vazhdon të njohë rritje ekonomike pozitive”. Sipas saj, të dhënat tregojnë se në Shqipëri nuk ka rritje papunësie, në ndryshim nga sa ndodh në shumë vende të tjera. “Shqiptarët, shikojnë me optimizëm të ardhmen. Në një kohë kur në shumicën e vendeve të Europës ka shkurtime të rrogave dhe pensioneve, në vendin tim ne vazhdojmë t’i rrisim ato”, tha Kryetarja e Kuvendit. Presidenti Fisher, si një nga personalitetet që ka vizituar Shqipërinë që në momentet e para të demokracisë në Shqipëri, në postin e Kryetarit të Parlamentit Austriak, i bëri të ditur kryetares Jozefina Topalli se ndjek me vëmendje zhvillimet në Shqipëri, si dhe vuri në dukje progresin pozitiv të vendit tonë.