Kukës
Të rinjtë tentuan të grabisnin disa maqedonas
Tre adoleshentë nga fshati Shtiqën i Rrethit të Kukësit kanë tentuar të grabisin me armë udhëtarët në autostradë, ku viktimat do të kishin qenë dy shqiptarë nga Gostivari i Maqedonisë. Të rinjtë keqbërës, që sipas zëdhënësit të Policisë së Qarkut të Kukësit, Mirjan Hoxha, janë që të tre minorenë, pasi asnjë prej tyre nuk i kalon të 16 vjetët, kanë përdorur armët e zjarrit si mjet frikësimi për drejtuesit e mjeteve, pasi kishin zënë rrugën me gurë. Ngjarja ka ndodhur aty rreth orës 03:00 të mëngjesit të së dielës, në vendin e quajtur Ura 6-metroshe në segmentin rrugor Kukës-Morin, 3 km larg qytetit të Kukësit, ku lëvizjet në autostradë kanë qenë më të rralla.
Lajmërimi i policisë
Kanë qenë vetë dy udhëtarët nga Gostivari që do të binin pre e grabitjes, të cilët kanë njoftuar policinë lokale për një pritë në rrugë dhe për tentativë grabitjeje me armë. “Pamë rrugën e bllokuar me gurë dhe kur ndaluam makinën për të pastruar aksin pamë tre persona me armë, të cilët i shkrehën armët në ajër”, kanë thënë në polici udhëtarët nga Gostivari, përkatësisht 27 dhe 34 vjeç. Ata kanë treguar se “me t’u dëgjuar krismat, kanë hyrë përsëri në automjet dhe kanë ecur mbrapsht deri në një kthesë, ku janë ndaluar për të njoftuar policinë”. Mbas këtij njoftimi, vetëm pak minuta më vonë, kanë mbërritur në vendngjarje uniformat blu, të cilat në bazë të një plani të hartuar aty për aty nisin punën për kërkimin e personave që, sipas përshkrimit të viktimave, janë tre adoleshentët, emri i të cilëve nuk bëhet publik, pasi, siç tha zëdhënësi, janë minorenë. Adoleshentët u ndaluan në banesat e tyre, rreth orës 05:00, kur secili prej tyre, pas tentativës së grabitjes, po kthehej në shtëpi. Burimi i Policisë së Kukësit thekson se këta adoleshentë u identifikuan pa shumë vështirësi, pasi edhe më herët, ata kanë kryer të paktën dy grabitje, përkatësisht një në prill e tjetrën në qershor të këtij viti, në të njëjtin vend dhe janë skeduar tashmë si elementë kriminalë.
Hetimet
Në vendngjarje janë gjetur edhe 3 gëzhoja të pushkës model 56 dhe janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale. Adoleshentët fillimisht janë shpallur të ndaluar si të dyshuar për tentativën e grabitjes dhe do të hetohet edhe për armën që kanë përdorur, ndërsa mendohet se ata përsëri, nën pretekstin e minorenit, do të lihen të lirë, për të grabitur përsëri. Sidoqoftë, materialet do i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kukës për veprat penale të “vjedhjes me armë në bashkëpunim” ngelur në tentativë, dhe “prodhim e mbajtje pa leje të armëve luftarake dhe municioneve”.
Një burim i prokurorisë, lidhur me grabitjen e mbetur në tentativë, tha se do të hetohet fort për të kuptuar se kush qëndron pas këtyre minorenëve, pasi gjatë vitit të fundit kanë ndodhur disa grabitje, duke përfshirë atë të rrugës, si dhe të udhëtarëve të huaj nga adoleshentë, të cilët duhet të kenë një suport kriminal nga persona të rritur. S.Dida