Provimi i shtetit
Rreth 200 mësues do të testohen në muajin nëntor
Shpresa Mezini
Të rinjtë e sapodiplomuar në degën e Mësuesisë do ta zhvillojnë provimin e shtetit për herë të parë sivjet në muajin nëntor.
Zyrtarisht thuhet se në Ministrinë e Arsimit janë ngritur grupet e punës, që po merren me hartimin e fondit të pyetjeve, të cilat do të përmbajnë tezat që u takojnë 14 profileve të ndryshme. Autoritetet e arsimit bëjnë me dije se janë 200 mësues të rinj që do t’i nënshtrohen këtij testi, pa të cilin nuk mund të punësohen në asnjë prej shkollave të sistemit parauniversitar. Provimit të shtetit do t’i nënshtrohen edhe ata që duan të japin mësim në shkollat profesionale të vendit, në disa profile të caktuara.
“Për herë të parë, provimi i shtetit do të zhvillohet rreth muajit nëntor, pra tani në shtator përfundojnë praktikantët e parë. Kemi 14 profile, duke përfshirë të gjitha lëndët, qoftë matematikën, gjuhën shqipe, historinë, informatikën, edukimin fizik pra sportet, apo klarinetën, të gjitha llojet e profileve përkatëse dhe programet janë dërguar në drejtoritë arsimore, në mënyrë që praktikantët t’i kenë në dorë dhe t’i studiojnë ato deri në caktimin e datës, kur do të zhvillohet provimi i shtetit”, sqaroi Dorina Rapti, drejtoreshë e arsimit profesional në MASH.
Provimi i shtetit për mësuesit vjen si një reformë e Ministrisë së Arsimit për të rritur cilësinë e mësimdhënies në shkolla.
Të rinjtë që duan të ndjekin këtë profesion, pas 5 vitesh studimi në atë Bachelor, duke përfshirë edhe masterin shkencor apo profesional, duhet të ndjekin një vit praktikë dhe në fund të testohen në provimin e shtetit. Kjo është e vetmja rrugë që të diplomuarit në këtë degë të fitojnë të drejtën për të ushtruar profesionin. Ndërkohë për mësuesit që janë aktualisht të punësuar në sistemin arsimor, do të vazhdojnë trajnimet, si dhe testimi i dijeve që ata grumbullojnë vit pas viti.
Sindikata e Arsimit
Mësuesit e rinj që diplomohen në vend duhet të specializohen për të dhënë mësim në më shumë se dy lëndë. Fakultetet duhet të rishikojnë kurrikulat që mësuesit të mos marrin një drejtim të përgjithshëm, por të japin mësim në disa lëndë, të cilat të kenë lidhje me njëra-tjetrën, siç është matematika dhe fizika. Të paktën këtë propozon kreu i Sindikatës së Arsimtarëve, Xhafer Dobrusha. “Fakultetet po kalojnë gradualisht në përgatitjen e një mësuesi që jep dy ose tri lëndë, sepse duke lënë mënjanë shkollat e mëdha kur ka densitet nxënësish, në rrethet periferike, në shkolla do të kenë nevojë për më pak mësues, por që janë të zotët të japin një ose dy lëndë. Ky është modeli më i mirë që zbatohet në Europë, është modeli i Finlandës, ku një mësues jep të paktën dy lëndë”, thekson Dobrusha.
Ai shton se vitet e fundit, në shkolla të ndryshme të vendit, janë denoncuar raste nga prindërit që shpesh mësues të një lënde të caktuar japin mësim dhe në një lëndë tjetër, ndonëse nuk e kanë specializimin e duhur. “Mungesa e arsimimit përkatës ndikon ndjeshëm në cilësinë e mësimdhënies dhe, nga ana tjetër, pengon punësimin e mësuesve të rinj që janë në pritje”, sqaron Dobrusha.