Flamurtari i milionave barazon me Bylisin, Teuta sërish me fitore, debutuesit ndahen paqësisht
Të dielën ka përfunduar edhe java e parë e kampionatit të 74-t kombëtar të futbollit. Nga dita në ditë ndeshjet nxorën në pah tri skuadra që synojnë kreun. Skënderbeu, Tirana dhe Teuta duket se nuk i ndahen njëra-tjetrës edhe këtë vit. Tri fitore në transferta të vështira, kjo do të thotë se kampionati nisi aty ku e përfundua 3 muaj më parë.
Bylis-Flamurtari
Vlonjatët, që në merkaton e verës kanë derdhur 300 mijë euro për sulmin, nuk shkuan më tepër sesa një barazim me Bylisin në fushën neutrale të stadiumit “Tomori” në Berat. Edhe pse kishin këtë favor, ata nuk mundën të ruanin rezultatin e krijuar në minutën e 17 nga Memelli. Tifozeri të vakëta që mbështesnin pak skuadrat e tyre, por që në fund u zhgënjyen, sepse prisnin nga tri pikë secila. Memelli e hapi me gol rikthimin e tij te Flamurtari, ndërsa për Bylisin një nigerian bën sulmuesin. Adigun barazon në fillim të pjesës së dytë për Bylisin, i cili ndjeu mungesën e shumë lojtarëve që ka të dëmtuar dhe me kaq përfundon takimi. Kjo është një ndeshje për t’u harruar për Flamurtarin, i cili kërkon titullin Kampion. Duke parë investimin e ballshiotëve, ai është më i vogël sesa i Flamurtarit, ndaj dhe kjo pikë duket se i shkon për shtat në javën e parë.
Shkumbini-Teuta
Në Peqin u luajt takimi i dy skuadrave të Shqipërisë së Mesme. Teuta edhe këtë herë di të fitojë dhe të mbetet në “vallen” e më të mirëve të Superligës, pasi ka një ekip pretendent, duke parë dhe organikën e ndërtuar nga trajneri Hasan Lika. Goli i shënuar në minutën e 10 nga Ansi Nika u jep “krahë” bregdetarëve në këtë start kampionati. Ndërsa peqinasit, me një organikë të dobët, mbeten shumë mbrapa. Mbase problemi mbeten tifozët për vendasit, të cilët janë të dënuar nga Komisioni i Disiplinës me zhvillimin e katër takimeve pa praninë e spektatorëve. Megjithatë, durrsakët e nisin me këmbën e mbarë këtë kampionat, duke hyrë menjëherë mes tri ekipeve që morën tri pikë në ndeshjen e parë.
Kukësi–Luftëtari
Takimi i luajtur në verilindje të Shqipërisë, në një stadium të ri dhe me një inaugurim nga kreu i shtetit, nuk ka shkuar më tepër sesa një barazim pa gola. Debutuesit e Kukësit, të cilët kanë bërë merkato me emra, nuk arritën të merrnin më shumë se një pikë kundër Luftëtarit që rikthehet në Superligë pas 5 vitesh mungesë. Gjirokastritët e mbajtën fjalën, ata kishin premtuar se do t’u merrnin pikë kuksianëve dhe kështu ndodhi. Mbase verilindorët e kanë nga eksperienca dhe me kalimin e kohës mund të korrigjojnë veten. Tashmë Superliga ka marrë “flakë” dhe gjithçka do të duket pas përfundimit të javës së dytë, aty ku do të shihen edhe ekipet që pretendojnë.
Java I
24.08.2012
Vllaznia – Skënderbeu 1-3
Shënues: Smajli 77’ / Pejiç 19’, 34’, 47’
25.08.2012
Laçi – Besa 1-1
Shënues: Vucaj (11-m) 6’ / Kaja 41’
Tomori – Tirana 0-1
Duro (11-m) 32’
Apolonia – Kastrioti 1-1
Ribaj 3’ / Sekseni 15’
26.08.2012
Bylis – Flamurtari 1-1
Shënues: Memelli 17’ / Adigun 54’
Kukësi – Luftëtari 0-0
Shkumbini – Teuta 0-1
Shënues: Nika 10’
Renditja pas javës I
Nr. Skuadra Fit. Brz. Hum. Pikë
1. Skënderbeu 1 0 0 3
2. Teuta 1 0 0 3
3. Tirana 1 0 0 3
4. Apolonia 0 1 0 1
5. Besa 0 1 0 1
6. Bylisi 0 1 0 1
7. Flamurtari 0 1 0 1
8. Kastrioti 0 1 0 1
9. Kukësi 0 1 0 1
10. Laçi 0 1 0 1
11. Luftëtari 0 1 0 1
12. Shkumbini 0 0 1 0
13. Tomori 0 0 1 0
14. Vllaznia 0 0 1 0