Një tjetër tentativë grabitjeje me armë ka ndodhur në kryeqytet. Objektivi ka qenë një argjendari që ndodhet në zonën e njohur si Rruga e Kavajës, shumë pranë poliklinikës nr.9, pranë kryqëzimit me 21 Dhjetorin.


Ngjarja ka ndodhur rreth orës 15:00, kur një person i armatosur, i maskuar me një kapele të zezë, ka hyrë në argjendari dhe  nën kërcënimin e armës, ka tentuar të grabisë bizhuteritë e dyqanit. Ndërkaq, shitësja e argjendarisë ka ndezur menjëherë sinjalin e alarmit, i cili me sa duket e ka trembur grabitësin, që sipas përshkrimit të saj duhet të jetë adoleshent 15-16 vjeçar.


Policia ka shkuar menjëherë në vendngjarje dhe ka nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes, ndërkohë që ka marrë në pyetje shitësen e argjendarisë për informacione të tjera rreth tentativës së grabitjes.


27 gusht 2012 (gazeta-Shqip.com)