Gjatë muajve të fundit vërehet stanjacion në portofolin e kredive të dhëna nga bankat
Tregu i kreditit ka dhënë shenja se ka ndalur së zgjeruari për herë të parë në një dekadë, bëhet e ditur nga ekspertë të fushës. Totali i portofolit të kredive të dhëna nga bankat në qershor 2012 mbërriti në 572 miliardë lekë, (rreth 4.17 miliardë euro), me rënie të lehtë në krahasim me muajin maj. Kredia për familjet pësoi një tkurrje më të fortë sesa kredia për biznese, ndërkohë që depozitat vijojnë të shtohen me ritme të kënaqshme dhe raporti kredi/depozita ka zbritur tashmë nën 60 për qind dhe ka shfaqur rënie të vazhdueshme gjatë viteve të fundit. Që nga marsi i këtij viti, portofoli i kredisë ka mbetur pothuajse në të njëjtat nivele, ndërkohë që në të shkuarën kreditimi është rritur shumë shpejt si pasojë e pikës së ulët të nisjes së ekonomisë së kreditit afro një dekadë më parë.
Më pak kërkesë
Kërkesa për kredi në sistemin bankar ka qenë shumë e dobët gjatë viteve të fundit, por kriza ekonomike është vetëm një prej shkaktarëve, sipas bankierëve. Shkaqe më të forta strukturore janë shfaqur. Kredia për blerje pronash të patundshme ka filluar të tkurret, pasi vlerësohet se është ezauruar tregu i shqiptarëve që kanë të ardhura të mjaftueshme për të paguar 300-400 apo 500 euro në muaj këst kredie. Shqiptarët e tjerë që kanë nevojë për shtëpi janë praktikisht jashtë tregut për shkak të çmimit relativisht të lartë të apartamenteve në krahasim me të ardhurat e disponueshme nga shtesa e mesme. Kredia për blerje pajisjesh të qëndrueshme, si makinat apo mobiliet, është tkurrur pasi shqiptarët po e shohin shumë të palogjikshme të paguajnë 15 apo 20 për qind interes vjetor për blerjen e një malli që mund të ketë humbur gjysmën e vlerës para se vetë kredia e marrë për blerje të jetë shlyer tërësisht.
Biznesi i bllokuar
Ndërsa familjet kanë arritur pikën e ngopjes me kredi, asgjë pozitive nuk duket as nga tregu i kredive për bizneset. Për shkak të interesave tepër të larta, kredia tërhiqet nga bizneset vetëm si kapital qarkullues dhe në shumë pak raste, si kapital investues. Vetëm me tregti mund të paguhen interesa 15 apo 20 për qind në vit, pasi investimet zakonisht duan disa vite që të fillojnë të japin frute dhe ndërkohë, interesat e kredisë në nivele të tilla kanë ngrënë gjysmën apo më shumë të vetë kredisë.
Disa biznese të reja si ndërtimi i hidrocentraleve të vogla të cilat duhej teorikisht të krijonin biznes prej qindra milionë euro në ndërtime e punësim, janë bllokuar tashmë prej kohësh si pasojë e besueshmërisë së ulët të kompanive që fituan koncesione nga qeveria.
Pak oreks për prova
Gjatë dekadës së fundit, bankat qenë shumë të interesuara për të testuar zgjerimin e aktivitetit të kreditit, fillimisht përmes kredive të vogla konsumatore për individët, më pas me overdraftin apo me kreditin për bujqësinë e turizmit. Por disa nga këto eksperimente nuk dhanë shumë rezultat. Hapja e linjave të kreditit për bujqësinë nuk ia doli të krijojë një treg të mirëfilltë pasi u pa se mungesa e kapitalit nuk qe problemi i vetëm i këtij sektori. E njëjta gjë duket se po ndodh edhe me turizmin, ku norma e moskthimit të rregullt të kredive është mbi 40 për qind. Bankat duket se nuk kanë më dëshirë të eksperimentojnë duke dhënë kredi në biznese të reja e të rrezikshme të sektorëve që besohet se po shfrytëzohen nën potencial në ekonominë shqiptare.
Kriza ekonomike aktuale mund të kthehet në një krizë strukturore, ku ekonomia nuk rritet dhe krediti nuk rritet, ku aktiviteti ekonomik i vendit nuk zgjerohet në sektorë të tjerë përveç atyre sakaq nën shfrytëzim.
Njoftimi
Vlerësimi i Shoqatës së Bankave: “Kemi rritje në krahasim me vitin e kaluar”
Kredia e bankave për ekonominë, megjithëse me ritme më të ngadalshme, vazhdoi të rritet gjatë tremujorit të dytë 2012 duke dhënë një shtysë pozitive për rritjen e aktivitetit ekonomik në vend, dhe duke shënuar një rritje vjetore prej 9.3% në fund të qershorit. Rritja e portofolit të kredisë në tremujorin e dytë 2012 ka ardhur plotësisht nga zgjerimi i kredisë në monedhën vendase, stoku i së cilës ishte 3.4% më i lartë në fund të qershorit krahasuar me marsin 2012. Ndërkohë, stoku i kredisë në valutë u tkurr gjatë këtij tremujori si rrjedhim i shlyerjeve më të mëdha se kërkesa për kredi të reja në valutë. Gjithashtu, tkurrje paraqiti edhe kredia dhënë individëve, ndërkohë që kredia për bizneset është rritur në kategoritë e kredive për kapital qarkullues dhe makineri e pajisje me 3.9% dhe 4.5% përkatësisht përgjatë tremujorit.
Kreditë me probleme arritën në fund të qershorit në 21.1 për qind duke u rritur me një pikë përqindjeje përgjatë gjithë tremujorit të dytë. Niveli i këtij treguesi reflekton vështirësitë me të cilat përballet biznesi në kushtet aktuale ekonomike dhe ngadalësimin e ritmit të rritjes së kredisë.