E mori viktimën e plagosur prej veshi t’i tregonte dokumentet e makinës
Mikel Marsi
Vritet me dy plumba pistolete një peshkatar në Orikum. Ngjarja ka ndodhur në orët e para duke u gdhirë dita e djeshme në një lokal. Viktima është Sokol Veizi, 45 vjeç, me profesion peshkatar. Sipas Policisë së Vlorës, viktima është qëlluar me dy plumba pistolete në trup nga një person i moshës 25 vjeç, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Sipas dëshmitarëve okularë, autori ka qenë me maskë. Fillimisht e ka plagosur në këmbë, më pas e ka marrë prej veshësh dhe e ka dërguar tek automjeti i tij për të verifikuar nëse ishte ky personi. Pasi ka parë dokumentet e makinës, gjithmonë me maskë në kokë, e ka qëlluar dhe është larguar me motor.
Vrasja
Sipas hetimeve të kryera, 45-vjeçari Veziri ka qenë duke pirë në një prej lokaleve të bregdetit të Orikumit me një të njohurin e tij. Më pas ka ardhur një person me maskë duke e qëlluar pa asnjë paralajmërim në këmbë. Autori e ka marrë zvarrë, duke e kapur prej veshësh, dhe e ka çuar në automjetin e tij, që ishte parkuar para lokalit me qëllim që të bindej se objektivi ishte i saktë. Pasi ka parë gjeneralitetet e tij, fotot dhe të dhënat e tjera, autori e ka qëlluar sërish, kësaj here me një plumb në kokë, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Më pas, autori është larguar nga lokali me një motor me skafandër në kokë. Policia mbërriti në vendngjarje dhe kreu ekspertizat e nevojshme, duke marrë kampionë provash në gotat që kanë përdorur autori, si dhe shenja të lëna në karrige dhe tavolina. Në cilësinë e provës materiale janë marrë dhe dy gëzhojat e gjetura në vendngjarje, të cilat pritet të zbardhin ngjarjen. Sipas policisë, të gjitha ekspertizat janë dërguar në laboratorin e kriminalistikës në Tiranë për të identifikuar plotësisht autorin e krimit. Ndërkohë, trupi pajetë i 45-vjeçarit është dërguar në morgun e spitalit, ku dhe i është nënshtruar ekspertizës mjekoligjore, e cila ka konfirmuar se shkaku i vdekjes së 45-vjecarit ka qenë humbja e sasisë së gjakut dhe dëmtimi i rëndë në kraharor nga plumbi.
Dëshmitarët
Policia ka marrë në pyetje pronarin e lokalit, i cili ka shpjeguar ngjarjen me sa kishte parë, por nuk ka dhënë të dhëna të mjaftueshme për të ndihmuar policinë në identifikimin e autorit të krimit. Një nga banorët e Orikumit, tregon për “Shqip” se personi i vrarë Sokol Veizi ka qenë peshkatar dhe shpesh ka bërë dhe gjueti të paligjshme, atë të gjuajtjes me dinamit. Para pesë vitesh, sipas banorit të Orikumit, Sokoli ka qenë problem për qytezën e Orikumit, ai shpesh ka sjellë dhe konflikte dhe rrahje, ku shpeshherë është izoluar në Drejtorinë e Policisë së Vlorës për rrahje dhe kanosje më mjete të forta.
Gjithashtu, në pyetje janë marrë dhe familjarë të viktimës, por të gjithë kanë deklaruar se 45-vjeçari nuk ka pasur asnjë mosmarrëveshje dhe hasmëri me askënd. Sipas tyre, Sokoli ka qenë shumë i rregullt dhe se shikonte punën e tij, duke punuar si peshkatar, me këtë punë mbante familjen, bashkëshorten dhe dy fëmijët e tij. Deri në orët e pasdites së djeshme, policia ka shoqëruar 9 persona në komisariat si persona që mund të dinë apo si të dyshuar, por mbas marrjes në pyetje janë lënë të lirë.
Provat
Gjatë orëve të mbrëmjes, policia ka konfirmuar se ka disa prova për autorin e krimit. Sipas grupit hetimor, autori mund të jetë një person i paguar nga të tjerë, pasi viktima ka qenë person me precedentë të shumtë penalë, që nga tentativa vrasjeje, plagosje, mbajtës i lëndëve palsëse e deri te trafiku i narkotikëve. Policia dhe prokuroria po punon për zbardhjen e krimit, shkaqet e krimit të rëndë, si dhe arrestimin e autorit të vrasjes së 45-vjeçarit në lokalin pranë bregdetit të Orikumit.