Elhami Ismajli


Është e paqartë nëse politikani që ishte i dhënë pas pozitës së shefit të shtetit, të cilën e mbajti për vetëm 37 ditë, zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli, është ish-President dhe gëzon të drejtat e beneficionet përkatëse.


Juristët janë të ndarë në interpretimin e tyre kushtetues në lidhje me atë se a është ish-President i Kosovës dhe a i gëzon të drejtat e beneficionet përkatëse lideri i Aleancës Kosova e Re (AKR), Behgjet Pacolli.


Politikani i njohur se ishte i dhënë pas postit të shefit të shtetit dhe Kosovës Presidenciale, e kishte mbajtur atë pozitë vetëm 37 ditë në shkurt dhe mars të 2011-tës.


Gjykata Kushtetuese e Kosovës i ka thënë Gazetës Jeta në Kosovë se përgjigjet në lidhje me këtë kërkesë vetëm gjenden në aktgjykimin e saj të datës 30 mars 2011 dhe sqarimin e aktgjykimit, më 1 prill 2011.


Kjo gjykatë me aktgjykimin e saj shpallte jo-kushtetues vendimin e Kuvendit të Kosovës të 22 shkurtit 2011 për emërimin e Behgjet Pacollit President dhe e shpallte atë të pavlefshëm që nga 30 marsi. Sipas saj, 34 deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) kishin pasur të drejtë në parashtrim, votimi në seancë nuk kishte pasur kuorumin e duhur (prej dy të tretave të tërësisë së Kuvendit) dhe po ashtu nuk kishte pasur kundërkandidat të Pacollit – dhe procedura kështu shkelte Kushtetutën e vendit.


Pacolli kishte nënshkruar më pas zgjedhjen e koloneles Atifete Jahjaga për Presidente të vendit ndërsa vetë ishte emëruar Zëvendëskryeministër.


Por, që atëherë, Pacolli nuk është ftuar nga protokolli i shtetit në organizime si ish-President.


Këshilltari i tij, Jetlir Zymeraj, thotë se “mosrespektimi i statusit të ish-Presidentit ndaj Pacollit, në çdo aspekt, është abuzim me pozitën që dikush, aktualisht e mban, si rezultat i rrethanave të krijuara në një moment kohor”.


Artan Behrami, zëdhënës i Ministrisë së Jashtme në kuadër të së cilës funksionon protokolli i vendit, thotë se “varësisht nga kërkesat që kanë institucionet e Republikës së Kosovës, varësisht nga listat e pjesëmarrësve që kanë në evenimentet që organizojnë,¸protokolli i shtetit bën ftesa” për zyrtarët shtetërorë.


Në bazë të ligjit për Presidentin e Kosovës, ai gëzon një seri të drejtash edhe pas mbarimit të mandatit, përveç nëse shkarkohet nga Kuvendi për shkak të kryerjes së ndonjë krimi të rëndë dhe nëse gjykata kushtetuese konstaton se ka bërë shkelje të rëndë të Kushtetutës.


Pas mbarimit të mandatit, në bazë të ligjit, Presidentit vazhdon t’i vlejë thirrja “President”, ka të drejtë në pension në shumën e shtatëdhjetë për qind të pagës si President, Presidenti dhe familja kanë të drejtë në sigurim të plotë shëndetësor dhe shërbime mjekësore në spitalet ushtarake  dhe publike gjatë tërë jetës, ka të drejtë në kompensim monetar kalimtar për një periudhë shtatë mujore të tranzicionit në jetën private.


Për periudhën pesëvjeçare pas përfundimit të mandatit, ka të drejtë në hapësirë zyreje, në pajisje për zyre dhe në personel profesional të zyrës që nuk mund të jenë më shumë se tre  persona, bashkë me familje ka të drejtë në përcjellje zyrtare për tri vjet pas përfundimit të mandatit.


Presidenti, bashkëshorti dhe fëmijët nën moshën 18 vjeçare vazhdojnë ta përdorin pasaportën


diplomatike. Me rastin e vdekjes, Presidenti varroset me shpenzimet shtetërore dhe me nderime shtetërore.


Sipas këshilltarit Zyberaj Pacolli nuk është i interesuar për anën materiale të këtyre të drejtave, nga të cilat mund të heq dorë në bazë të ligjit. Por ligji i jep ish-Presidentit edhe aspekte protokollare.


Ato kanë të bëjnë me pjesëmarrje në solemnitete dhe manifestime shtetërore në pajtim me rregullat mbi shërbimin e protokollit shtetëror, në të drejtë të mbulimit të shpenzimeve materiale për aktivitetet që ushtrohen në cilësinë e ish-Presidentit etj.


Në bazë të ligjit, këto të drejta do të hynin në fuqi kur Pacolli të mos shërbente më për Qeverinë e Kosovës në detyra shtetërore.


Juristët të ndarë se a ishte Pacolli President


Gjykata Kushtetuese e ka shpallur vendimin e Kuvendit për emërimin e Pacollit President jo-kushtetues e jo ndonjë vendim të Pacollit si President. Po ashtu, vendimet që ai ka nënshkruar mbeten valide.


Genc Nimoni, drejtues i projektit të monitorimit të gjykatave në BIRN, thotë se në qoftë se Gjykata Kushtetuese ka nxjerrë vendim me të cilin ka gjetur shkelje kushtetuese me rastin e zgjedhjes së Presidentit të Kosovës, atëherë i bie që Presidenti ka qenë kundërkushtetues.


“Si i tillë ai nuk mund të gëzojë epitetin ‘President’ për faktin se është zgjedhur në procedurë kundërkushtetuese nga organi kompetent – Kuvendi i Kosovës. Kjo nuk ia jep të drejtën dhe as ligjshmërinë për të gëzuar të drejtën si President/ ish President”, thotë Nimoni.


Sipas tij, në një interpretim strikt ligjor, edhe vendimet që Pacolli i ka nënshkruar si President mund të konsiderohen kundërkushtetuese.


Vjosa Osmani, ligjëruese në Fakultetin Juridik të UP-së dhe një nga parashtruesit e lëndës për Pacollin vitin e kaluar, tregon se  pas aktgjykimit, ushtruesi i detyrës së Presidentit Jakup Krasniqi i pati kërkuar një sqarim Gjykatës Kushtetuese duke e pyetur se a ka pasur Kosova president përgjatë atyre 35 ditëve. “Arsye pse e ka pyetur ka qenë paqartësia rreth vendimeve që janë marrë gjatë atyre ditëve, se a kanë validitet dhe vlefshmëri ligjore dhe e ka pasur President gjatë atyre 35 ditëve. Gjykata Kushtetuese është përgjigjur se Kosova ka pasur president për 35 ditë”, thotë Osmani.


Sipas saj, pyetja themelore në aspektin juridik është se çka konsiderohet mandat dhe a mundet edhe një ditë, dy ditë apo 35 ditë të konsiderohen mandat apo duhet të merret shembulli i deputetëve – ku p konsiderohet si mandat në qoftë se deputeti mbush dy vjet në detyrë.


“Personalisht mendoj se duhet të ndiqet shembulli i Kuvendit dhe të përdoret edhe prej institucioneve tjera, pra që mandat të konsiderohet kur së paku e ke përfunduar gjysmën e mandatit”, thotë ajo.


Osmani thotë se kjo çështje duhet të rregullohet qartë me një amendamentin të ligjit për Presidentin.


Mazllum Baraliu, ish-kryetar i Lidhjes së Juristëve të Kosovës dhe rektor i Universitetit të Prizrenit, pajtohet që Presidenti duhet të kalojë gjysmën e mandatit për t’i gëzuar privilegjet.


“Pacolli ka qenë President faktik dhe ka ushtruar detyrën për 35 ditë. Derisa ai nuk është kontestuar, derisa nuk ekziston një argument tjetër, është parim në drejtësi që vlen fakti juridik që ekziston. Situata juridike ka qenë e tillë që ai me votat e shumicës parlamentare është emëruar president dhe ai ka qenë president”, thotë Baraliu.


Por, thotë ai, baza ligjore e emërimit të tij është kontestuar nga Gjykata Kushtetuese dhe kështu Pacolli është dashur ta lëshojë postin.


Marrë nga gazetajnk.com