4%


Interesi – Këshilli Mbikëqyrës i Bankës vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin 4%


 


6.8%


Kredia – Ritmi i rritjes vjetore të kredisë për sektorin privat u ngadalësua me 6.8% në muajin qershor


 


8.3%


Bankat – Rritja vjetore e ofertës monetare u ngadalësua me 8.3% dhe reflekton uljen e financimit ndaj publikut


Situata


Nuk investohet, nuk konsumohet sa duhet, pak kredi dhe shumë panik te qytetarët


ARD KOLA


Jemi keq, por mund të bëhet akoma e më keq. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë nuk jep siguri se deri sa do të zgjasë kriza, por thotë se e ardhmja mbetet e zymtë dhe vendi do të ketë një zhvillim nën potencialin e saj. Për të disatën herë, kreu i BSH-së foli në publik për kërcënimet e shumta ndaj ekonomisë sonë që vijnë nga disa sektorë. Në fillim kriza financiare u injektua nga jashtë, por tashmë përhapja e saj dhe turbulencat e shkaktuara po diktohen më së tepërmi nga politika e aktorëve të ndryshëm vendas, publik dhe privat.


Vendi mund të përballet me pasoja më të rënda në rast se nuk merren masa të menjëhershme. Guvernatori tha dje me plot gojën se situata mbetet dhe do të vijojë të jetë problematike. Investimet private kanë ngecur, qytetarët po kursejnë gjithnjë e më shumë, e për pasojë konsumi ka rënë. Si rrjedhojë, bankat kanë frenuar kreditimin, por edhe për financime interesi është i vogël. Bilanci tregtar vijon të dalë me humbje. Qeveria ka shtrënguar rripin me investimet, kurse të ardhurat janë në minimumin historik të 12 viteve të fundit. Nisur nga këta faktorë, projeksionet e BSH flasin për një rritje ekonomike të ulët, të ngadaltë dhe nën potencial. Sa i takon politikës monetare, Këshilli Mbikëqyrës gjykoi të mbante të pandryshuar normën bazë të interesit, për 4 për qind, por në rast se do të jetë e nevojshme për ta rishikuar, vendimi do të jetë i menjëhershëm.


Ekonomia, konsumi dhe investimet


Të dhënat mbi ecurinë e ekonomisë në tremujorin e dytë të vitit tregojnë për rritje të ngadaltë të aktivitetit ekonomik në këtë periudhë. Megjithëse disa tregues indirektë flasin për një përmirësim kundrejt tremujorit të parë të vitit, konsumatori vijon të karakterizohet nga një sjellje e orientuar drejt kursimit. “Kjo sjellje pasqyrohet në shtyrjen e shpenzimeve të rëndësishme, në rritjen e depozitave dhe të investimeve në letrat me vlerë, si dhe në kërkesën e ulët konsumatore për kredi bankare”, tha guvernatori, pas mbledhjes me anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës të BSH-së. Sipas tij, investimet private vazhdojnë të mbeten të dobëta, në reflektim të ecurisë së dobët të kërkesës finale në ekonomi. Norma e shfrytëzimit të kapaciteteve vijon të jetë e ulët ndërsa, sipas INSTAT-it, importi i makinerive dhe pajisjeve regjistroi një rënie vjetore me 9.5% në tremujorin e dytë, pas zgjerimit me një normë të ulët rreth 1.5% në tremujorin e parë të vitit. “Lidhur me financimin e investimeve private, sistemi bankar vijoi të akordojë kredi për qëllime investimi në ritme të krahasueshme me tremujorin e parë të vitit”, deklaroi Fullani.


Të ardhurat dhe borxhi


Politika fiskale e ndjekur nga qeveria ka sjellë detyrimisht një ngushtim të deficitit buxhetor. Natyrshëm, duke pasur një nivel të ulët të të ardhurave, politikat me shpenzimet kanë qenë më të kujdesshme. Në prani edhe të rritjes së ngadaltë të të ardhurave buxhetore, kjo sjellje është reflektuar në tkurrjen me 1.2% të shpenzimeve buxhetore, vëren BSH-ja. Nga ana tjetër, të ardhurat buxhetore shënuan një rritje vjetore prej 4%, të ndikuar nga rritja e dobët e të ardhurave tatimore. Ecuria e të ardhurave, shpenzimeve, dhe e huamarrjes publike është materializuar në një deficit buxhetor rreth 31.6% më të ulët krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. “Banka e Shqipërisë vëren se ruajtja e disiplinës fiskale i ka shërbyer pozitivisht shëndetit financiar të ekonomisë shqiptare dhe kontrollit të primeve të rrezikut në ekonomi gjatë gjysmës së parë të vitit 2012”, tha dje guvernatori. Sipas tij, vazhdimi i përpjekjeve për ruajtjen e qëndrueshmërisë afatgjatë të borxhit publik do të ndihmojë në rritjen e kredibilitetit të politikës fiskale dhe në reduktimin e kostove të financimit të ekonomisë shqiptare.


Qeveria ka shtrënguar rripin me investimet, kurse të ardhurat janë në minimumin historik të 12 viteve të fundit


 


Kapaciteti


Norma e shfrytëzimit të kapaciteteve vijon të jetë e ulët ndërsa, sipas INSTAT-it, importi i makinerive dhe pajisjeve regjistroi një rënie vjetore me 9.5% në tremujorin e dytë,


 


 


Replikat


Fullani: Dietat, të nevojshme. Braçe: I pacipë!


Guvernatori i BSH, Ardian Fullani, e konsideroi normale dhe tepër të rëndësishëm faktin e politikës së ndjekur nga ai për shpenzimet ndaj stafit të Bankës së Shqipërisë. Në përgjigje të kritikave të lëshuara një ditë më parë nga deputeti i opozitës, Erion Braçe, Fullani u përpoq t’i argumentojë shpenzimet e larta si domosdoshmëri për investimin e burimeve njerëzore. “Kompensimi për ushqimet e punonjësve është subvencionimi për mensën, sa i takon sportit, është investim, sipas standardeve të njohura. Vajzat e BSH-së, volejbolliste, fituan çmimin e dytë në Ballkaniadën e bankave qendrore. Banka po bën revolucion për rikonstruktimin e godinave të saj. Në një hark trevjeçar, BSH-ja do të ketë një godinë prestigjioze. Të gjitha janë transparente, mund të gjenden me një klikim në Bankën e Shqipërisë”, u shpreh Fullani.


I menjëhershëm ishte reagimi i deputetit të PS-së, Erion Braçe, i cili u tregua më i ashpër se një ditë më parë. “Guvernatori tha se shpenzimet për kompensim ushqimi dhe për sportin janë investime në burime njerëzore dhe se vajzat e bankës kanë dalë kampione të Ballkanit në volejboll! Ne jemi krenare për to, tha guvernatori Fullani. Po mirë, turp a ke? Kur thua që shqiptarët janë të prirur ndaj kursimit dhe investimet janë të dobëta, ke moral ti që shpenzon për ushqim e sport? Natyrisht që nuk ke pikën e turpit! Je vërtet zyrtari më i pacipë i këtij shteti, por i denjë për të dhe luksin e tij”, reagoi Braçe, duke ftuar median dhe KLSH-në të hetojë shpenzimet e BSH-së.