Mazhoranca


Ministri i Drejtësisë ka përforcuar idenë e hedhur nga Kryeministri


Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, gjatë nënshkrimit të një marrëveshjeje bashkëpunimi me kreun e ILDKP-së, Adriatik Llalla, deklaroi se e vetmja rrugë për të kapërcyer strategjinë e bllokimit të aplikuar nga opozita është vota e qytetarëve. “Imuniteti është një pengesë për hetimin e gjyqtarëve. Ky është një qëndrim i shprehur edhe nga prokuroria në vijim dhe për të hequr edhe çdo alibi të prokurorisë, sigurisht që kjo çështje duhet të marrë fund njëherë e mirë. Gjyqtarë dhe zyrtarë duhet të jenë të barabartë me qytetarët dhe për këtë do të vendosin qytetarët”, tha ministri Halimi. Ministri i Drejtësisë tha se “drafti fillestar për heqjen e imunitetet për zyrtarët dhe gjyqtarët ishte më radikal, por ishte opozita ajo që e zbuti, duke arritur në variantin e kufizimit të imunitetit dhe më pas nuk e votoi atë në Kuvend”. Sipas Halimit, do të jetë referendumi ai që do t’i japë zgjidhje përfundimtare kësaj çështjeje. Mazhoranca akuzon opozitën për bllokimin e procesit të integrimit, e kjo sipas tyre, u realizua me mosvotimin në seancën e 6 gushtit të ndryshimit të Kushtetutës për heqjen e imunitetit të zyrtarëve. Edhe deputeti i PD-së, Tritan Shehu, u shpreh se kryerja e referendumit me popullin shihet si një strategji për të zhbllokuar tentativat e opozitës. “Opozita kërkon ta kushtëzojë me elementë të tjerë që nuk kanë asnjë lidhje me imunitetin vetëm për ta bllokuar dhe si rrjedhojë nuk shoh zgjidhje tjetër veçse heqjen e tij me referendum”, deklaroi Shehu. Sipas deputetit demokrat, referendumi nuk do të përbëjë një test për mazhorancën, e cila, sipas tij, do të jetë fituese e zgjedhjeve të 2013-s. Kryeministri Sali Berisha, në konferencën e fundit për median, u shpreh se referendumi është e vetmja zgjidhje përballë refuzimit të opozitës. Ai bëri të ditur nismën e grupit parlamentar të PD-së për të kryer një referendum. Për shefin e mazhorancës, Berisha, vendimi i Gjykatës Kushtetuese i marrë në vitin 2009 nuk përbën pengesë për realizimin e referendumit të kërkuar nga partia në pushtet, PD. “Është njëlloj si të besosh ‘Kurani apo Ungjilli sipas Ruçit’. Ata bëjnë interpretimin e tyre që duan, pasi ata, me çdo kusht, janë për të bllokuar. Kjo është edhe donkishotizëm! Referendumi është forma më sublime e demokracisë. Përpjekja për të ndrydhur zërin e qytetarit shënon fundin e çdo politikani në një shoqëri të lirë. Referendumi është forma direkte e demokracisë. Të lexojnë nenin 150 të Kushtetutës. Në të gjithë hierarkinë, ai është kryeneni: 50 mijë qytetarë, 1/5 e Parlamentit dhe Këshilli i Ministrave kanë të drejtë t’i drejtohen sovranit për verdikt. Këtu ndal, nuk shkohet më tutje. Specifikohen disa problematika. Natyrisht, nuk mund ta bëjnë këtë, kur bëhet fjalë për territor, me të cilën na kërcënoi zoti Rama, se do të organizonte referendum për çështje territoriale. Nuk ka Kushtetutë që autorizon një gjë të tillë. Është në gjenezën e Kushtetutës ndalimi i një akti të tillë”, iu përgjigj Berisha pyetjes për vendimin e Gjykatës Kushtetuese. B.Hoti