Intervista në TCH


Nënkryetari i grupit parlamentar të PS: “Qeveria po synon të përsërisë skenarin e paktit të parë”


Për Partinë Socialiste, qeveria e ka humbur legjitimitetin dhe besimin e publikut për të rinegociuar për të dytën herë kufirin detar me Greqinë. Deputeti i opozitës, Sajmir Tahiri, u shpreh se në vizitën e ardhshme në Greqi të ministrit të Jashtëm Edmond Panarati duhet të marrë pjesë edhe një delegacion gjithëpartiak nga Parlamenti, pasi, sipas tij, nuk ka më të voglin dyshim se çështja e kufirit do të jetë në krye të axhendës së bisedimeve. “E rëndësishme është që të theksohet parimi i transparencës. Çdo veprimtari e administratës publike, e qeverisë e Kryeministrit dhe e ministrit të Jashtëm, çdo bisedë e bërë deri më tani, çdo kërkesë paraprake e bërë deri më tani nga pala greke apo kërkesë e bërë nga pala shqiptare dhe çdo hap që do të hidhet më pas, duhet të jetë transparent, duhet të jetë i ditur për publikun dhe duhet të jetë i hapur për gjykim e vlerësim nga publiku dhe ekspertët e pavarur. Kjo, duke filluar pse jo që nga vizita e ardhshme e ministrit të Jashtëm në Greqi dhe takimet e tij me ministrin e Jashtëm, ku domosdoshmërisht, për shkak të situatës, do të diskutohet marrëveshja e detit. Nuk ka asgjë të keqe që në këto takime të marrë pjesë edhe një delegacion apo të jenë pjesëmarrës edhe përfaqësues të Parlamentit të opozitës, komisioneve parlamentare, që domosdoshmërisht duhet të kenë zërin e tyre në monitorimin e kësaj marrëveshjeje”, tha Tahiri në intervistën dhënë për “Top Channel”. Qëndrimet e kundërta të Kryeministrit Berisha me ato të ministrit të Jashtëm Panariti, nëse janë ngritur grupe pune apo jo në vlerësimin e deputetit Tahiri, cilësohen si një kaotizëm, ku është përfshirë qeveria.


“Me të gjitha gjasat duket se qeveria po synon të përsërisë skenarin e marrëveshjes së parë për delimitimin e ujërave detare me Greqinë. Ajo që vihet re është një kaotizëm në qëndrimet publike të autoriteteve qeverisëse, pra të Kryeministrit dhe ministrit të Punëve të Jashtme, në ka ose nuk ka grup pune, ka apo s’ka teknicienë që po punojnë apo jo? Kjo të lë të dyshosh për të paktën dy skenarë ose qeveria është dritëshkurtër dhe nuk e ka haberin se çfarë po bën dhe çfarë do të bëjë në lidhje me marrëveshjen e detit, ose pastaj është duke përhapur tym, me vullnetin për të fshehur çdo hap që do të hedhë në lidhje me marrëveshjen për të na nxjerrë përsëri në situatën e marrëveshjes së kaluar, një marrëveshje e faktit të kryer me dëme kolosale për Republikën e Shqipërisë. Dhe, nga ana tjetër, bëhet fjalë për një qeveri, e cila e ka humbur besimin e publikut dhe të kujtdo që mund të nënshkruajë një marrëveshje të barabartë në kushte reciproke dhe duke garantuar sovranitetin kombëtar e territorial të Republikës së Shqipërisë”, shprehet Tahiri. Sipas tij, pakti i kufirit “duhet përjashtuar me patjetër nga procesi i negocimit të gjithë ata negociatorë dhe teknicienë që nënshkruan marrëveshjen e parë me dëm kolosal për vendin. Do të thotë, Gerveni me shokë nuk mund të nënshkruajnë, nuk mund as të negociojnë, as të marrin pjesë në bisedime me palën greke, sepse e bënë njëherë dhe i shkaktuan dëme shumë të mëdha në lidhje me sovranitetin, duke konsumuar një akt tradhtie”, tha Tahiri.