Pas çdo grabitjeje, Leonardi dhe Joni pyesnin si merreshin gjurmët, këqyrej vendngjarja dhe si pyeteshin dëshmitarët


Dy krerët e rinj të bandës së Çoles në Vlorë, vëllezërit Leonard dhe Joni Idrizi, të cilët u arrestuan disa ditë më parë për akuzën e grabitjeve me armë, kanë studiuar për një kohë të gjatë veprimet policore të qytetit bregdetar. Ata informoheshin herë pas here për lëvizjet e oficerëve të policisë gjyqësore, në lidhje me këqyrjen e vendit të ngjarjes, nëse merreshin prova në vendngjarje apo edhe këqyrja balistike e armëve të zjarrit. Burimet nga Policia e Vlorës thanë për gazetën “Shqip” se kanë marrë informacione se vëllezërit Idrizi studionin për javë të tëra terrenin para grabitjes, për sa kohë mbërrinte policia dhe rrugicat për t’u larguar pas kryerjes së veprës penale. Megjithëse nuk kishin banuar ndonjëherë në Vlorë, ata qëndronin me persona me precedentë penalë, duke u marrë të gjitha rrugët dytësore nga duhet të kalojnë.


 


Studionin grabitjet


Të gjitha grabitjet e ndodhura në qytetin e Vlorës, që dyshohet se janë kryer nga banda e drejtuar nga vëllezërit Idrizi, janë studiuar. Në asnjë rast policia nuk ka mundur të gjejë gjurmë të keqbërësve dhe në ato raste që ka gjetur nuk ka mundur dot të identifikojë autorët, për shkak se dy vëllezërit nuk kishin ndonjë precedent penal në vendin tonë. Ata u largua nga Shqipëria rreth viteve 1997 dhe u vendosën në Greqi, ku vazhduan “trashëgiminë” e lënë nga i vëllai, Leonardi, i cili bënte pjesë në bandën e Çoles së Zanit në Vlorë, i vrarë më vonë. Në Greqi, sipas informacioneve, këta persona kanë qenë të skeduar nga policia greke për vjedhje me dhunë, grabitje me armë, si dhe shpesh kanë qenë personat e dyshuar për tentativë vrasjeje dhe plagosje të shtetasve grekë. Sipas policisë, “dy vëllezërit shpeshherë bënin takime me personat që në Vlorë kanë pasur probleme me policinë dhe merrnin informacion se si kryheshin hetimet për ndonjë ngjarje, a i merrnin shenjat e gishtave për çdo rast, si pyeteshin nga policia gjyqësore, si dhe shumë informacione që kishin të bënin me aktivitetin e tyre kriminal”.


 


Përgjimet e policisë


Krahas dokumentimit të rreth 9 grabitjeve në qytetin e Vlorës, policia ka arritur të përgjojë për një kohë të gjatë këtë grup, duke arritur të kapë lëvizjet e tyre të radhës. Për një periudhë që ka zgjatur rreth katër muaj, grupi i kryesuar nga Leonard (Fatbardh) dhe Joni Idrizi, janë mbajtur në përgjim dhe vëzhgim, megjithëse agjentët e policisë e kanë pasur të vështirë të parashikonin lëvizjet e tyre, duke qenë se kapobandat i njihnin mjaft mirë metodat policore. Ata vepronin me shpejtësi në objektiva të qarta, madje kishin informacione me sa persona do të përballeshin në karburante a kazino, për ta pasur më të lehtë që të largoheshin. Por edhe këtë detaj e kishin zgjidhur mirë, pasi në grup kishin rekrutuar persona nga qyteti i Vlorës, kontingjent krimi, të cilët i njihnin mjaft mirë rrugët dytësore të qytetit bregdetar. Policia, për një periudhë kohe, nuk kishte informacione për përfshirjen e vëllezërve Idrizi në këtë grup dhe, pasi ata u “tradhtuan” nga një kamër sigurie, grupi hetimor mblodhi prova që vërtetonin se ata ishin të implikuar në një seri grabitjesh. Provat e mbledhura nga përgjimet, por edhe nga vëzhgimet, do të paraqiten sot në Gjykatën e Vlorës për masën e sigurisë.


 


Vlerësimi i arrestit


Gjashtë të arrestuarit do të përballen sot me togat e zeza të Gjykatës së Vlorës për vlerësimin e masës së sigurisë. Grupi akuzohet për grabitje me armë, vrasje e mbetur në tentativë ndaj punonjësve të policisë dhe armëmbajtje pa leje, ndërsa do të verifikohet nëse këta persona funksiononin apo jo si një grup i strukturuar kriminal. Nëse vërtetohet nëse kanë qenë grup i strukturuar kriminal, atëherë me shumë mundësi dosja do të transferohet në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, e cila ka kompetencë të plotë për hetimin e kësaj kategorie veprash penale. Megjithatë, dosja duhet të kishte mbërritur tek Krimet e Rënda, për të vetmen arsye se ky grup ka qëlluar ndaj punonjësve të policisë me armë zjarri, duke rrezikuar jetën e shumë agjentëve të policisë. Red.Akt


 


 


Pamjet filmike


Hapja e derës


Tre persona afrohen tek dera e kazinosë. Tentojnë ta hapin me levë. Nuk ia arrijnë dhe më pas e qëllojnë me kallashnikov


 


Rreziku


Në të njëjtën kohë, një punonjës i kazinosë tenton që të mbajë të bllokuar derën. Shpëton për mrekulli nga plumbat që i kalojnë afër


 


Goditjet


Autorët futen brenda na kazino dhe qëllojnë me grushte dhe shkelma punonjësit. Më pas drejtohen tek arka duke marrë lekët


 


Filmimet


Të gjitha veprimet e agresorëve janë filmuar nga kamerat e sigurisë. Megjithatë, ata mbanin në kokë kapuç dhe kapele


 


 


 


Vëzhgimi


 


Në filmimet e policisë, njëri prej tyre u shpëton plumbave


 


Dy punonjësit e kazinosë që ranë


pre e grabitjeve largohen nga puna


 


Dy punonjësit e kazinosë që ranë pre e grabitjeve me armë janë larguar nga qyteti i Vlorës, për shkak të rrezikut të jetës. Ata u sulmuan më 11 maj të këtij viti nga tre persona të armatosur rëndë. Njëri prej tyre, është munduar të ndalojë grabitësit të hynin në kazino, por përballë plumbave të dala nga kallashnikovi është dorëzuar dhe është zmbrapsur. Ai, së bashku me shokun e tij, kanë ngritur duart lart, në pritje të keqbërësve, të cilët morën të gjithë paratë e xhiros ditore.


Gazeta “Shqip” ka shkuar pranë godinës ku ndodhi kjo ngjarje, e fiksuar nga kamerat e sigurisë. Në vendin që ka qenë kazinoja dikur, tashmë është ngritur një aktivitet tjetër, duke lënë të kuptohet se pronarët kanë mbyllur aktivitetin përballë kësaj mizorie, ku fitimet me djersë zhduken brenda sekondave nga grabitësit me maska. Ndërkohë, jemi interesuar për dy punonjësit që janë përballur me grabitësit dhe kemi marrë informacionin “se nuk janë nga Vlora dhe se janë larguar pas kësaj ngjarjeje”.


Duket se pasojat e grabitjeve me armë po ndihen tek biznesi i vogël, i cili është bërë pre e sulmeve të njëpasnjëshme. Në këtë rast, biznesi është mbyllur dhe dy punonjësit, të tmerruar nga ajo që kanë parë, e kanë lënë punën, ndoshta edhe Shqipërinë, përballë kësaj mizorie që ka prekur të gjithë vendin, ku për çdo ditë regjistrohen dhjetëra vrasje, grabitje me armë apo edhe vjedhje me dhunë duke ecur në rrugë.


 


 


Arrestimi


Si u arrestuan dy vëllezërit Idrizi


Ajo që i ka “tradhtuar” dy vëllezërit Idrizi, ka qenë momenti i largimit nga vendngjarja, pasi kishin qëlluar policinë dhe rrugës kanë hequr kapuçat nga koka, që i mbanin gjatë gjithë kohës së grabitjes dhe në momentin që kanë kaluar përballë një biznesi me kamera sigurie, çdo gjë është fokusuar nga këto kamera. Ky ka qenë një ndër faktorët, ku Policia e Vlorës ka sjellë edhe fotot e tyre. Ndërkohë, një tjetër dëshmi për identifikimin ka qenë ajo e pronarit të automjetit të grabitur. Ai i ka njohur në fotot e vëna në dispozicion të dhjetë personave të dyshuar.