Numrat – Partia Demokratike i ka të nevojshme votat e LSI-së për të miratuar nismën e referendumit, por jo të domosdoshme
Konferenca – Për t’u futur në rendin e ditës si qëndrim i grupit parlamentar i PD-së, nisma për referendum duhet të kalojë në Konferencën e Kryetarëve
Firmat – Më pas, PD-ja do të duhet të marrë firmat e 1/5-at e deputetëve të Kuvendit, të cilat i ka, por dhe 50 mijë anëtarëve që i siguron
Presidenti – Data e mbajtjes së referendumit, sipas Kushtetutës, është kompetencë e Presidentit, i cili e dekreton pas vendimit të KQZ-së
Haxhinasto: Duhet arritur konsensusi në Parlament
Fatjona Mejdini
Lëvizja Socialiste për Integrim ka avancuar sërish kundërshtimin e saj ndaj propozimit të Kryeministrit Berisha për referendumin popullor për çështjen e imunitetit. Pas Metës, këtë ide e ka përforcuar numri dy i qeverisë, përkatësisht zv.kryeministri Edmond Haxhinasto, i cili nga Berati, teksa ishte për një takim në mbështetje të biznesit fason, deklaroi se LSI-ja ishte e mendimit që kjo çështje të diskutohej në Parlament dhe të mos ndërmerreshin vendime të njëanshme. Në emër të nevojës për integrim në Bashkimin Europian, Haxhinasto theksoi se imuniteti duhet të trajtohet në formën e një ligji, që do të vinte si pjesë e kompromisit mes palëve. “Absolutisht mendoj që politika duhet të fokusohet të realizojë në mënyrën më të shpejtë të mundshme dhe rrugën më Kushtetuese, detyrimet që ka për të ecur më tej në procesin e integrimit. Qëndrimi i LSI-së është që çështja e imunitetit të trajtohet në Parlament me vullnetin dhe gatishmërinë e palëve për të miratuar çdo ligj, i cili është në funksion të detyrimeve tona, të realizimeve të detyrimeve tona për sa i takon integrimit të vendit”, deklaroi Haxhinasto nga Berati. Në këtë mënyrë, LSI-ja mbështet idenë e PS-së se çështja e imunitetit është një çështje që duhet të diskutohet në Parlament, së bashku me çështje të tjera që i përkasin reformimit të sistemit të drejtësisë. Sinjalin për këtë qëndrim të ndryshëm në lidhje me çështjen e imunitetit, e lajmëroi pak ditë më parë, vetë kreu i LSI-së, Ilir Meta. Gjatë një takimi që zhvilloi me të rinjtë e LRI-së në Jalë, Meta deklaroi se referendumi mund të jetë zgjidhje, por më mirë është heqja e imunitetit me konsensus në Parlament. Por sipas kreut të LSI-së, e rëndësishme është që të mos humbet kohë. “Ne kemi qenë prej vitesh për heqjen e imunitetit për politikanët, dhe për të gjithë zyrtarët e lartë që ata të barazohen me të gjithë qytetarët e tjerë. Ndaj ne e gjejmë rastin, përsëri të theksojmë se kjo është e domosdoshme, kjo është një kërkesë jo vetëm e partnerëve ndërkombëtarë, por edhe e qytetarëve shqiptarë, për të cilën ata mund të shprehen edhe me referendum, por është rruga më e mirë, më e shpejtë, më efikase që të realizohet përmes një konsensusi parlamentar gjatë 2-3 javëve të ardhshme”, deklaroi kreu i LSI-së në lidhje me këtë çështje. Nga ana tjetër, PD-ja duket e vendosur në qëndrimin e saj për sa i përket mbajtjes së një referendumi popullor për çështjen e imunitetit dhe nuk dihet ende nëse LSI-ja do të mundet të bëjë presionin e nevojshëm për të arritur të kthejë këtë vendim të PD-së. Por pavarësisht vullnetit për ta kryer këtë referendum, deri tani nuk është folur për një datë se kur do të mbahet. Ajo që dihet me saktësi lidhet me faktin se në fillimin e tetorit, Shqipëria do të përballet me provimin e radhës për në Bashkimin Europian. Ende nuk dihet sesi do të ndikojë çështja e imunitetit për statusin, por sinjalet nga Brukseli duken negative, nisur nga fakti se shumë nga 12 prioritetet e përcaktuara nga BE-ja ende nuk janë përmbushur. Kjo është hera e dytë gjatë muajit të fundit, që LSI-ja mban një qëndrim më të ndryshëm nga ai i PD-së për çështje të rëndësishme. E para lidhet me qëndrimin e prerë fillestar të LSI-së në lidhje me moszgjidhjen e një presidenti të njëanshëm, pavarësisht se në fund të këtij procesi, LSI-ja e mbështeti pa rezerva miratimin e kandidaturës së Bujar Nishanit për president. Tashmë mbetet për të parë sesi do të vijojë aksioni politik i kësaj partie në kuadër të çështjes së referendumit për heqjen e imunitetit të deputetëve.