Deklarata: “Të zbardhet biseda mes Kryeministrit dhe Contominas”
Aleanca Kuqezi reagon ashpër për takimin e fundit të Kryeministrit Sali Berisha për përfaqësuesit e kompanisë greke DEMCO, presidenti i së cilës është Dimitri Contominas, një person, që sipas saj, është me precedent penal në Greqi, si dhe shumë çështje korruptive edhe në Maqedoni. Aleanca Kuqezi deklaron se pasuritë e kombit dhe shteti shqiptar janë vënë në rrezik nga Kryeministri i Shqipërisë dhe jo i shqiptarëve, i cili i konsideron ato personale dhe i nxjerr në ankand e koncesion pa i vlerësuar minimalisht dhe publikisht këto pasuri. “Takimi i fundit Berisha-Contominas për privatizimin e Portit të Vlorës është një dëshmi e rëndë e vizionit të Sali Berishës që e ka nxjerrë Shqipërinë në ankand te miqtë mafiozë të tij nga Greqia dhe Serbia. Aleanca Kuqezi i bën apel Kryeministrit të Shqipërisë dhe jo shqiptarëve të bëjë publik procesverbalin e takimit me dyer të mbyllura mes tij dhe Contominas, ku temë e diskutimit sigurisht nuk ka qenë vetëm Porti i Vlorës, por kush e di se sa privatizime të tjera strategjike që po shkojnë në favor të Greqisë dhe Serbisë, për shkak të paaftësisë dhe mungesës së vizionit zhvillues të qeverisë së tij”, thuhet në deklaratën e AK-së. Sipas këtij formacioni politik, “ka ardhur koha që Sali Berisha t’u japë llogari shqiptarëve për lidhjet e tij me kontrabandistët nga Greqia dhe Serbia, të cilëve po u jep pasuritë kombëtare të shqiptarëve. Këto privatizime, që mbajnë firmën e Sali Berishës, shiten si sukses i procesit të privatizimeve në vendin tonë, ndërkohë që, nëse bëhet një bilanc i tyre, do të dalë që shteti shqiptar ka humbur sovranitetin e pasurive të tij kombëtare”. “Sigurisht qëllimi i privatizimeve te Sali Berisha nuk është kaq i thjeshtë. Ai po përdor këto privatizime si përpjekje e tij personale për të shpëtuar Greqinë nga rrënimi ekonomik dhe këtë po e bën duke shitur pasuritë e shqiptarëve pikërisht te kontrabandistët e Greqisë. Aleanca Kuqezi deklaron se është fakt që Sali Berisha ka marrë në dorë privatizimet strategjike të aseteve kombëtare dhe deri më tani ato ia ka dorëzuar Athinës dhe Beogradit. Rasti i fundit është dëshmia që Sali Berisha portet e veriut po ia dorëzon Serbisë ndërsa të jugut Greqisë.