Anëtarët / Mandati – Sipas Kodit Zgjedhor, anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ka mandat me afat kohor 6-vjeçar, me të drejtë rizgjedhjeje
Kryetari / Mandati – Kryetari i KQZ-së ka mandat 4-vjeçar, me të drejtë rizgjedhjeje. Sipas përcaktimit, ai caktohet para çdo zgjedhjeje parlamentare
Përbërja / 7 anëtarët – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka në përbërje 7 anëtarë. Tre zgjidhen nga pozita, tre nga opozita, i 7-i votohet me konsensus
Ripërtëritja / 2 anëtarët – Dy nga anëtarët e KQZ-së, sipas nenit 14/1 dhe nenit 181 të Kodit, e ushtrojnë mandatin e parë për 3 vjet, me të drejtë rizgjedhjeje
Propozimet / Partitë – PD-ja dhe PS-ja do të kenë të drejtën e propozimit të dy anëtarëve. Ndërsa dy të tjerët vijnë nga propozimet e PBDNJ-së dhe të LSI-së
Çuçi: Duhet të shpalleshin vendet vakante për anëtarët e rinj
BLEDAR HOTI
Partia Socialiste akuzon Kuvendin për vonesat në nisjen e procedurave për përzgjedhjen e kreut të ri të KQZ-së. Eksperti socialist për çështjet zgjedhore, gjatë komisionit të posaçëm të reformës, Bledi Çuçi, në një deklaratë për median theksoi se, sipas nenit 181 të Kodit, ky hap duhej të ndërmerrej menjëherë pas dekretit të Kodit Elektoral nga ana e Presidentit Bujar Nishani. “Ligji është i qartë, menjëherë pas dekretimit të Presidentit, Kuvendi duhet të shpallte vakancën. Fakti që nuk e ka bërë, nuk është një shenjë e mirë. Kjo duhet të shpallet menjëherë, në mënyrë që personat e interesuar dhe që plotësojnë kushtet, të mund të garojnë, duke bërë të mundur kështu një proces të shpejtë, në mënyrë që brenda trejavëshit të parë të shtatorit KQZ-ja të ketë anëtarët dhe kreun e ri të saj”, tha Çuçi për “Ora News”. Çuçi konfirmon se PS-ja ka gati listën me emra për kandidatë të mundshëm si anëtarë të KQZ-së, ku ende nuk është përcaktuar nëse do të jenë edhe anëtarët aktualë të këtij institucioni. “Në PS ka filluar procesi i selektimit, ne kemi grumbulluar disa emra që mendojmë se janë të denjë dhe të gatshëm për të kontribuar si anëtarë të këtij institucioni dhe në momentin e parë që do të na kërkohet, do të bëhet edhe publikimi i tyre”, u shpreh eksperti socialist. Çuçi i bëri apel qeverisë të nxitojë me nisjen e përgatitjes së infrastrukturës zgjedhore, pasi koha shtrëngon dhe përdorimi i teknologjisë në zgjedhje është një element që kërkon marrjen sa më parë të masave. Neni 181 i Kodit Zgjedhor, i ndryshuar së fundmi me bekimin e PS-së dhe PD-së, parashikon që “1. Kuvendi, 30 ditë nga data e shpalljes së këtij ligji, zgjedh anëtarët e KQZ-së, sipas neneve 14 dhe 15 të këtij Kodi. 2. Publikimi i vakancës për kryetarin e KQZ-së bëhet menjëherë pas shpalljes së këtij ligji.
3. Betimi kryhet jo më vonë se 24 orë nga dita e zgjedhjes së kryetarit të KQZ-së”. Kodi parashikon edhe ndërprerjen e menjëhershme të mandatit të anëtarëve ekzistues. “1. Anëtarët e KQZ-së, të cilëve u ndërpritet mandati para kohe, për shkak të ndryshimeve në këtë Kod, qëndrojnë në detyrë deri në zëvendësimin e tyre me anëtarët e rinj të zgjedhur sipas këtij Kodi. 2. Anëtarit të KQZ-së, të cilit i ndërpritet mandati, për shkak të nenit 181, përfiton pagën e funksionit deri më 31 dhjetor 2012.
3. Anëtari i KQZ-së, të cilit i ndërpritet mandati, kthehet në funksionin publik të mëparshëm, ose emërohet në një funksion ekuivalent me të”, thuhet në nenin 182 të ligjit zgjedhor. Gjithashtu është parashikuar edhe përtëritja pjesore e KQZ-së. “1. Me qëllim përtëritjen pjesore të KQZ-së, dy nga anëtarët e zgjedhur sipas pikës 1 të nenit 14 dhe nenit 181 të këtij Kodi e ushtrojnë mandatin e parë për 3 vjet me të drejtë rizgjedhjeje. Një anëtar, të cilit i ndërpritet mandati para kohe, përcaktohet me short mes tre anëtarëve të propozuar nga shumica parlamentare dhe anëtari tjetër, mes tre anëtarëve të propozuar nga opozita parlamentare, sipas pikës 1 të nenit 14 të këtij Kodi. 2. KQZ-ja zhvillon hedhjen e shortit në seancë publike jo më vonë se 10 ditë nga mbledhja e parë”, thuhet në nenin 183 të Kodit. Anëtari i KQZ-së ka mandat 6-vjeçar, me të drejtë rizgjedhjeje. Kryetari i KQZ-së ka mandat 4-vjeçar, me të drejtë rizgjedhjeje. Komisioni i Ligjeve i shqyrton kandidaturat për kreun e KQZ-së në përputhje me Rregulloren e Kuvendit. Pas verifikimit të kritereve zbatohet procedura si më poshtë: a) Komisioni përzgjedh për t’u paraqitur për votim Kuvendit dy kandidatët që gëzojnë mbështetjen më të madhe të anëtarëve të komisionit, por jo më pak se dy të tretat e të gjithë anëtarëve të tij. Kur shumicën e cilësuar e gëzojnë më shumë se dy kandidatë, në votim paraqiten dy kandidatët që gëzojnë mbështetjen më të madhe. Çdo anëtar i komisionit mund të mbështesë deri në katër kandidatë”; b) Nëse shumicën e cilësuar sipas shkronjës “a” nuk e gëzojnë së paku dy kandidatë,
komisioni identifikon katër kandidatët që kanë marrë mbështetjen më të madhe midis anëtarëve të komisionit pas zbatimit të shkronjës “a”. “Kur gjatë zbatimit të shkronjave “a” dhe “b” dy apo më shumë kandidatë gëzojnë të njëjtën mbështetje, përzgjedhja e tyre bëhet me short. ç) përfaqësuesit e pakicës parlamentare në komision përjashtojnë dy nga kandidatët e përzgjedhur sipas shkronjës “b”. Kandidatët e mbetur i kalojnë Kuvendit për votim. d) Kryetar i KQZ-së zgjidhet kandidati që merr më shumë se gjysmën e votave të deputetëve të Kuvendit”, thuhet në Kodin Zgjedhor.
Neni 181
Zgjedhja e anëtarëve të KQZ-së
1. Kuvendi, 30 ditë nga data e shpalljes së këtij ligji, zgjedh anëtarët e KQZ-së, sipas neneve 14 dhe 15 të këtij Kodi.
2. Publikimi i vakancës për kryetarin e KQZ-së bëhet menjëherë pas shpalljes së këtij ligji.
3. Betimi kryhet jo më vonë se 24 orë nga dita e zgjedhjes së kryetarit të KQZ-së.”
Neni 15
Zgjedhja e kryetarit të KQZ-së
1. Anëtari i shtatë dhe njëkohësisht kryetar i KQZ-së, zgjidhet jo më vonë se 10 ditë pasi të ketë përfunduar procedura e zgjedhjes së anëtarëve të KQZ-së, sipas nenit 14 të këtij Kodi.
2. Jo më vonë se 30 ditë para datës së mbarimit të mandatit të kryetarit të KQZ-së, Kuvendi i Shqipërisë publikon shpalljen për vendin vakant të kryetarit të KQZ-së.