Inter


Për sulmin mendohet Lopez, Stramaçoni: Më pëlqen!


Interistët janë gjithnjë në gjueti për një sulmues dhe në orët e fundit të merkatos, Branka i ndihmuar nga Ausilio janë të vendosur për të bërë një goditje tjetër. Emri i ri në axhendën e tyre është Lisandro Lopez, argjentinasi i Lionit i kontaktuar tashmë nga Fiorentina. Për këtë emër, Stramaçoni ka rënë plotësisht dakord dhe është një nga emrat që i duhet atij në kartelë. Kostoja e kartonit të lojtarit kushton 15 milionë euro, por për Interin është disi e lartë, por që do ta zgjidhë me anë të kredisë. Për Borrielon dhe Xhilardinjon, të cilët janë pa ekip, nuk do të ketë vend në radhët e zikaltërve, pasi Interi ka nisur ekspertë të nivelit europian për të arritur marrëveshjen me Lopez. Merkato për zikaltrit është karakterizuar nga lamtumirat, ku i fundit është Hulio Sezar. Por, afrimi më i bujshëm ka qenë ai i Kasanos, e njëjta gjë mund të ndodhë edhe në orët e fundit të merkatos, ku një tjetër argjentinas pritet t’i bashkohet Interit. Tashmë “kolonia” braziliane është pakësuar pas largimit të Sezar, Hjuan Jezus dhe Maikon, ky i fundit është në tratativa me Sitin. Kutinjo dhe Xhonatan ndihen disi të vetmuar tashmë, pasi janë më pak në numër se Palasio, Milito, Zaneti, Kambiaso, Samuel, Silvestre dhe ndoshta Lopez, të cilët janë të kombësisë argjentinase. Për sa i përket çështjes “Maikon”, trajneri i zikaltërve, në prag të ndeshjes së Europa Ligë ndaj Vaslui, ka deklaruar se është një situatë delikate. I pyetur nga mediat italiane, ai ka thënë: “Puna e të gjithë grupit ka bërë që merkato e sezonit të jetë për t’u lavdëruar. Kanë mbërritur futbollistë me vlera dhe që kanë dëshirë për të ecur përpara. Për çështjen “Maikon” them se ka qenë e komplikuar që në fillim dhe tepër delikate. Për Hulio Sezar dua të them që ishte një njeri punëtor dhe që e falënderoj për bashkëpunimin. Ndërsa për ardhjen e mundshme të sulmuesit Lisandro Lopez them se jam dakord me presidentin Morati dhe bashkëpunëtorët e tjerë”, deklaron Strama. Ndërsa ka vendosur që në formacionin për ndeshjen e kthimit ndaj Vasluit të aktivizojë brazilianin Xhonatan në vend të Maikon, i ndihmuar këtë herë nga kapiteni Zaneti. Për sa i përket sulmuesit Milito, tekniku ka shprehur fjalët më të mira për të dhe se po i gjendet një futbollist ndihmës për të shënuar më shumë.