Operacionet


Në Gjirokastër e Sarandë sekuestrohen rreth 600 kg, në Durrës 720 kg, asgjësohen parcela në Tiranë dhe Tropojë


Disa operacione policore në mbarë Shqipërinë kanë sekuestruar dje rreth 1.5 tonë hashash, ndërsa në një rast, në Vlorë, u sekuestrua 500 gramë heroinë, në trupin e një 60-vjeçareje. Në Durrës janë sekuestruar 720 kilogramë hashash, të kapura në një kamion që po imbarkohej në traget. Ndërkaq, në Gjirokastër dhe Sarandë janë sekuestruar mbi 600 kg hashash. Në Tiranë është gjetur një parcelë me hashash në fshatin Priskë, gjatë operacioneve për shuarjen e zjarreve në Dajt, ndërsa parcela me hashash zbulohen edhe në Lekbibaj të Tropojës.


Operacioni në Sarandë


Policia e Gjirokastrës realizoi ndalimin e disa qindra kilogramëve lënde narkotike të llojit marijuanë, në një aksion të realizuar pasditen e së mërkurës, në aksin rrugor Jorgucat-Muzinë. Droga ishte duke u transportuar në një furgon mallrash me targa IEM 1618, i cili kishte për destinacion Greqinë. Nga të dhënat paraprake, prejardhja e lëndës narkotike dyshohet se ishte nga Lazarati, ndërsa në total, në disa çanta të paketuara, u zbuluan rreth 500 kilogramë marijuanë. Pasi kuptuan se ishin duke u ndjekur nga forcat e rendit, drejtuesit e mjetit braktisën furgonin dhe humbën gjurmët në një zonë pyjore. Mësohet se është duke u punuar për identifikimin e tyre.


Sekuestrohen 720 kg


Policia e Durrësit ka sekuestruar 720 kg marijuanë. Lënda narkotike u gjet në kamionin me targë AA623EP. Drejtuesi i mjetit është ndaluar. Lënda narkotike ishte ndarë në 36 çanta nga 20 kg secila. Kamioni me drogë u ndalua në terminal, ndërsa po imbarkonte në traget.


Droga në Gjirokastër


Një kultivues, prodhues dhe trafikant i hashashit nga Lazarati, paguan 4 persona nga zona veriore e vendit për të transportuar drogën në Greqi nga mali i Buretos. Operacioni i policisë për këtë rast të trafikimit të drogës ka nisur mëngjesin e së mërkurës, në orët e para të datës 29.08.2012. Policët janë vënë në ndjekje të tyre dhe kanë mundur të kapin dhe arrestojnë në flagrancë njërin prej tyre, shtetasin Hajri Buci, i datëlindjes 1984, lindur në Dibër dhe banues në Durrës. Gjithsej u sekuestrua 93 kilogramë marijuanë. Në përfundim të veprimeve të para hetimore rezultoi se personat që po transportonin drogën janë nga zona veriore e Shqipërisë, si dhe pronari i lëndës narkotike është një shtetas nga Lazarati


Parcela në Priskë


Policia e Tiranës ka arrestuar 40-vjeçarin, Ardian Çemeta dhe ka shpallur në kërkim vëllain e tij, Beharin, pasi në tokën pas shtëpisë në fshatin Priskë u gjet një parcelë me hashash. “Pas vlerësimit të informacioneve, në fshatin Priskë e Vogël, pikërisht në tokën mbrapa shtëpisë, pronë e dy vëllezërve, u gjet një sipërfaqe toke e mbjellë me 19 rrënjë bimë narkotike të dyshuar si ajo e kanabis sativa. U gjet dhe një armë zjarri e tipit pushkë model kinez”, tha policia.


Hashash në Tropojë


Policia e Tropojës ka zbuluar dhe asgjësuar dje disa parcela të mbjella me bimë narkotike kanabis sativa në fshatin Mulaj të Komunës Lekbibaj, Tropojë. Gjatë një operacioni të koduar “Marrëveshja”, në këtë zonë janë gjetur katër parcela të mbjella me rreth 200 bimë. U kontrolluan edhe disa banesa të braktisura, në të cilat u gjetën edhe u sekuestruan 84 kg paketa me lëndë narkotike, një pushkë model 56, një krehër automatiku me 12 fishekë, një aparat fotografik dixhital, një palë dylbi si dhe sende të tjera.


Heroinë në Vlorë


Një operacion i Policisë së Vlorës, i zhvilluar dje pasdite ka sjellë arrestimin e shtetases Lizhjeta Zharra. Gjatë kontrollit fizik, kësaj shtetase iu gjetën 500 gramë heroinë.