Zgjedhjet SHBA
Me një ditë vonesë në Tampa filloi punimet Kongresi i Partisë Republikane. Delegatët propozuan Mitt Romney si kandidat presidencial dhe Paul Ryan si zëvendës të tij, por nuk sundoi uniteti i plotë. Ann Sullivan është e bindur se shteti i saj i lindjes, Karolina e Veriut, do të kontribuojë që Mitt Romney të bëhet presidenti i ardhshëm amerikan. “Ne jemi shumë të motivuar”, thotë deputetja nga Goldsboro, “ne jemi po ashtu pak më mendjehollë se herën e fundit, këtë herë ne jemi të përgatitur për sulm”. Karolina e Veriut, ku demokratët mbajnë kongresin e tyre javën e ardhshme, është një nga “shtetet fushëbetejë”, që ndikon shumë në përcaktimin e fituesit. Presidenti Obama, në vitin 2008, fitoi në shtetin tradicionalisht konservator me një diferencë të ngushtë votash, tani Mitt Romney prin lehtë në anketa. Në ditën e parë “të vërtetë” të Kongresit republikan, programi i të cilit është batërdisur për shkak të uraganit “Isaac”, Ann Sullivan është pispillosur: Kapele mbi kaçurrelat e saj argjendi-gri ka modelin e flamurit amerikan, ajo ka veshur një këmishë të kuqe, ngjyrë kjo e republikanëve, ndërsa rreth qafe ka varur shumë elefantë, në variacione të ndryshme, si nuskë të partisë. Në hotelin e tyre në Shën Peterburg ajo bëhet gati për të shkuar në anën tjetër të gjirit në Tampa, vendi ku zhvillohet kongresi. Për mbi 40 vjet, ajo angazhohet në politikë. Ajo i kushton rëndësi të madhe vlerave familjare dhe për këtë arsye, ajo beson shumë në Mitt Romney, i cili është i martuar prej 43 vjetësh me gruan e tij Ann dhe ka pesë djem. Vlerat e krishtera janë po ashtu të rëndësishme për të, por atë nuk e pengon fakti që Romney i takon besimit mormon, pasi sipas saj edhe mormonët besojnë në Jezu Krisht dhe Bibël. “Ajo çfarë më pengon mua është që në Shtëpinë e Bardhë të kemi dikë, që nuk shkon në kishë dhe fëmijët e tij të rriten pa edukimin e krishterë”, thotë deputetja Sullivan. Presidenti Obama, gjatë mandatit të tij, ka marrë pjesë disa herë nëpër mesha kishtare, por kjo nuk është e mjaftueshme për Ann Sullivan. Deputetja është vetë anëtare e Partisë Tea dhe e çmon shumë Herman Cain-in, i cili sapo ka folur para delegacionit të tij gjatë ngrënies së mëngjesit. Ish-sipërmarrësi Cain, i cili ka qenë edhe vetë në garë për kandidaturën republikane presidenciale, por është tërhequr pas publikimit të akuzave për ngacmime seksuale, është ikonë e Partisë Tea. Partia Tea është një krah i lirshëm i djathtë i Partisë Republikane dhe nuk është organizatë më vete. Megjithatë përkrahësit e këtij krahu janë të bashkuar rreth kërkesave për një shtet me taksa të ulëta, sipërmarrje të lira dhe u kushtojnë rëndësi të madhe vlerave konservatore të krishtera. Përfaqësuesit e saj si Herman Cain janë duke ndjekur edhe një qëllim tjetër: “Unë jam në një mision dhe ai është: largimi i Barack Obama-s nga pushteti”, sqaronte ai në Shën Peterburg, duke bërë kështu reklamë për ish-rivalin e tij: Ai, Cain, e di nga vëzhgimi personal, që Romney jo vetëm se është personi i duhur për këtë post, por edhe është më simpatik se sa Barack Obama. Por ishin republikanë të tjerë ata, të cilët shkaktuan shqetësime në ditën e parë të kongresit, ithtarët e Ron Paul-it, i cili nuk kishte hequr dorë nga gara për kandidaturën presidenciale dhe kishte arritur të mbledhë rreth vetes disa delegatë. Ata shprehën zhgënjimin mbi rregullat e partisë, që duheshin ashpërsuar në këtë ditë. Ato parashohin (rregullat e reja), që një delegat, që është fituar nga një kandidat në një shtet federal, mund t’i kalohet një kandidati tjetër. Sidoqoftë në fund u vendos për emërimin e Romney-it dhe u miratua edhe programi i partisë. Programi i ri i partisë përmban koncesione ndaj krahëve konservatorë të krishterë dhe Partisë Tea: konfirmohet martesa midis burrit dhe gruas, ndalohet aborti, pa përmendur mundësinë e rasteve përjashtuese dhe bëhet thirrje për një amendament kushtetues, që kërkon një buxhet të balancuar.