Kryebashkiaku Gjika ka gati kontratën për trajnerin, i cili kërkon 13 mijë euro në muaj
Java e parë e Kampionatit Kombëtar të Futbollit pati shumë ndryshime. Ajo që pritej, ishte largimi i teknikut spanjoll Hulian Rubio Sançez nga Tirana, pasi nga negociatat me bordin drejtues nuk kishte arritur të gjente gjuhën e përbashkët. Dhe, kështu ndodhi, Rubio e la Tiranën. Por, ajo që nuk pritej ishte largimi i teknikut Shkëlqim Muça nga Flamurtari, që pas javës së parë të kampionatit, gjithashtu edhe trajneri i Laçit, Përparim Daiu. Për momentin Tirana e ka gjetur zëvendësin e Rubios, ai është Alban Tafaj, i cili me shumë mundësi do të drejtojë Tiranën në këtë kampionat, çka do të thotë më pak shpenzime për bardheblutë. Edhe te laçianët u rikthye durrsaku Stavri Nica, i cili i ka nxjerrë kurbinasit për herë të parë në Europë. Ndërsa klubi që ende nuk e ka bërë zgjedhjen përfundimtare për postin e trajnerit është Flamurtari. Vlonjatët kanë shpenzuar rreth 900 mijë euro që këtë sezon të shpallen kampionë. Por, një fjalë e urtë popullore thotë: “Tek ka shkuar qindëshja, le të shkojë mijëshja!” Ndaj te Flamurtari pritet që të pranojnë kërkesat e teknikut spanjoll Hulian Rubio. Trajneri kërkon një pagë prej 13 mijë eurosh në muaj, pra 156 mijë euro në vit, veç kostove të tjera të jetës së përditshme në Vlorë, të cilat do t’i mbulojë klubi. Për sa i përket ekipit, pritet të ketë ndryshime në janar, sepse nesër merkato e verës mbyllet. Megjithatë, sot pritet takimi përfundimtar mes presidentit të Flamurtarit, Shpëtim Gjika, dhe trajnerit Hulian Rubio për të vendosur për të ardhmen. Marrëveshja paraprake është kryer në Tiranë, dy net më parë, ku Gjika ka darkuar me Rubion dhe kanë rënë dakord. Tashmë pritet që gjithçka të zyrtarizohet, gjithashtu dhe të bëhen të ditura disa kushte të kontratës, të cilat në një masë të konsiderueshme tashmë janë të njohura.
Flamurtari-Sevilja
Takimi i parashikuar të luhet më 9 shtator mes Flamurtarit dhe Seviljas pritet të zhvillohet në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”. Këtë e kanë bërë të ditur drejtues të klubit vlonjat, të cilët kanë pohuar se stadiumi “Flamurtari” nuk ka aq kapacitet sa të zhvillohet një takim i përmasave të tilla. Gjithashtu dhe elementet e sigurisë janë më të larta në Tiranë sesa në qytetin bregdetar. Ndërsa një arsye e fortë qëndron edhe largësia nga aeroporti “Nënë Tereza”.
Elvis Sina
Kapiteni i Tiranës, Elvis Sina, ka shumë ditë që ka firmosur kontratën në Vlorë me klubin e Flamurtarit. Por, mungesa e lejes së kalimit nga klubi kryeqytetas ka bërë që 33-vjeçari të mos udhëtojë drejt Vlorës. Ai është në pritje të drejtuesve të Tiranës, të cilët do të vendosin për të ardhmen e tij. Me shumë mundësi Sina do të kalojë te Flamurtari për këtë sezon, por pas ndryshimeve të fundit në radhët e bardhebluve, mbrojtësi i 24 herë kampionëve do të kthejë mendje.