Aktiviteti
Pjesëmarrja e Shqipërisë në Bienalen e Venecias ka qenë përherë e zhurmshme. Kjo jo për sa i përket impaktit të pavijonit shqiptar përtej, por për mosmarrëveshjet mes artistëve shqiptarë. Përzgjedhja e kuratorit, tema e ideuar, artistët pjesëmarrës e të tjera probleme kanë qenë argumente të mjaftueshme për t’u debatuar nëpër gazeta para se aktiviteti të merrte udhë. Shqipëria është e pranishme edhe këtë vit në Bienalen e Venecias, hapja zyrtare e së cilës është shënuar mbrëmë. Në këtë edicion të trembëdhjetë, përfaqësimi i Shqipërisë ishte paracaktuar mbi rezultatet e një konkursi kombëtar të arkitekturës që u hap nga Ministria e Kulturës disa muaj më parë. Janë këto katër projekte fituese që prezantohen në pavijonin shqiptar në Bienalen e Venecias. Fokusi kryesor i tyre është rrjetëzimi i monumenteve të kulturës, si dhe strukturat ndërtimore ushtarake në Shqipëri, duke artikuluar koncepte të mundshme arkitektonike dhe teknike për transformimin e tyre në destinacione të mirëfillta turistike. Rikonstruksioni dhe restaurimi i banesës së Themistokli Gërmenjit në Korçë është projekti i arkitektit Ilir Voci dhe urbanistes Edvana Vangjeli. Nuk bëhet fjalë për shtëpinë e shembur, por për banesën e ndërtuar në vitin 1820 e ku ka banuar Gërmenji, e shpallur shtëpi muze dhe monument kulture i kategorisë së parë. Projekti i dytë ka të bëjë me rivitalizimin e Akropolit të Kalasë së Beratit. Dy projektet e tjera që paraqiten në edicionin e trembëdhjetë të bienales, janë dy projekte studentore, ku i pari ka të bëjë me propozimin për krijimin e një strukture transparente në formën e një membrane, e cila mbulon hollin e brendshëm të Muzeut Historik Kombëtar në funksion të krijimit të hapësirave ekspozuese dhe projekti “Concrete Mushrooms” që i referohet rifunksionalizimit të 750 mijë bunkerëve që gjenden kudo në Shqipëri. I pranishëm në këtë aktivitet të rëndësishëm si përfaqësues i Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve është zvministri i Kulturës Abaz Hado. Për herë të parë në Bienalen e Venecias merr pjesë këtë vit edhe Kosova.