Banorët e fshatrave, ku është ndërprerë energjia elektrike, kanë protestuar edhe gjatë ditës së djeshme


Protesta e banorëve të disa fshatrave të Mallakastrës kundër kompanisë CEZ Shpërndarje për ndërprerjen e energjisë elektrike ka vazhduar edhe gjatë ditës së djeshme. Dhjetëra banorë, të cilët kanë marrë pjesë edhe në protestën e mbrëmjes së të mërkurës, kanë shkuar sërish paraditen e djeshme pranë ambienteve të nënstacionit elektrik në qytetin e Ballshit, me qëllim që t’i ripushtonin, por aty janë gjendur përballë forcave të policisë. Ata janë mbledhur para nënstacionit elektrik rreth orës 09:30 minuta dhe kanë qëndruar aty për rreth një orë. Por, pasi policia ka arritur t’i nxjerrë 150 banorët nga 14 fshatra të ndryshme të Mallakastrës prej ambienteve të nënstacionit në orët e vona të mbrëmjes së të mërkurës, ka marrë të gjitha masat që një gjë e tillë të mos përsëritet më. Kështu, rreth 10 efektivë të ndërhyrjes së shpejtë kanë qëndruar gjatë gjithë natës dhe ditës së djeshme në ruajtje të ambienteve të nënstacionit dhe për këtë arsye protestuesit e mbledhur dje janë larguar rreth orës 10:30. Këta të fundit pretendojnë se faturat e energjisë elektrike të CEZ Shpërndarje janë më të mëdha nga shpenzimet e tyre. Ndërsa të tjerë kanë shtuar se edhe pse i kanë paguar rregullisht faturat, janë penalizuar pa asnjë të drejtë nga CEZ, që ka ndërprerë energjinë elektrike dy ditë më parë.


Tregtarët


Por duket se më të penalizuar prej kësaj situate kanë qenë tregtarët e produkteve ushqimore, kryesisht ata të qytetit të Ballshit. Ata janë shprehur se ndërprerja e energjisë elektrike që prej mbrëmjes së të mërkurës deri mëngjesin e djeshëm u ka rrezikuar produktet ushqimore që tregtojnë. “Nëse energjia nuk do të ishte lidhur në orët e mëngjesit, atëherë gjithë akulloret që janë në frigoriferët e ngrirjes do të kishin shkrirë, pasi kishin filluar të zbuteshin. Në rrezik ishin edhe nënproduktet e mishit dhe të bulmetit”, është shprehur për gazetën Y.A., pronari i një dyqani të produkteve ushqimore. Ndërkaq, këtë shqetësim e kanë ngritur edhe pronarët e pikave të shumicave që tregtojnë produktet ushqimore.


CEZ


Lidhur me këtë shqetësim, punonjësit e zyrave të CEZ Shpërndarje në qytetin e Ballshit, nuk kanë dhënë asnjë shpjegim. Të pyetur nga gazeta “Shqip” se si veprohet në rastet kur tregtarëve u shkaktohen dëme ekonomike për shkak të ndërprerjes së energjisë, ata janë përgjigjur se ky problem mund të zgjidhet vetëm në zyrat qendrore të CEZ Shpërndarje.


Konflikti


Mbrëmjen e së mërkurës, rreth orës 19:30, qindra banorë të 14 fshatrave të Mallakastrës, i janë drejtuar nënstacionit elektrik në qytetin e Ballshit, në shenjë proteste për ndërprerjen e energjisë elektrike nga ana e CEZ Shpërndarje. Rreth 150 prej tyre kanë pushtuar ambientet e këtij nënstacioni, ndërsa CEZ ka ndërprerë energjinë elektrike edhe për qytetin e Ballshit dhe zonat përreth. Policia ka arritur vetëm pas mesnatës së të mërkurës, që të nxjerrë protestuesit nga ambientet e nënstacionit. Sipas CEZ-it, banorët e këtyre fshatrave nuk kanë paguar faturat e energjisë elektrike për një kohë të gjatë dhe për këtë arsye është vendosur penalizimi i tyre. Edmond Hoxhaj